Në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Gërvalla, së bashku me deputeten Edona Llalloshi, ka zhvilluar një bashkëbisedim me nxënës të disa shkollave të mesme të Prishtinës, në ambientet e shkollës “Gjin Gazulli”.
Në diskutim morën pjesë nxënës nga shkollat “28 Nëntori”, “7 Shtatori”, “H.K. Prishtina” dhe “Abdyl Frashëri”. Temë e bashkëbisedimit ishte rëndësia e edukimit të brezave të rinj për barazi, respekt të ndërsjellë dhe ndërtimin e marrëdhënieve pa dhunë e diskriminim.
Përmes një njoftimi, Gërvalla ka theksuar se parandalimi i dhunës kërkon punë të hershme me të rinjtë, duke promovuar vlera që nuk tolerojnë poshtërimin, pabarazinë dhe dhunën në asnjë formë.
“Nuk mjafton t’u themi fëmijëve se dhuna është e gabuar. Duhet t’i rrisim me aq shumë respekt për veten dhe për të tjerët, saqë dhuna, poshtërimi dhe pabarazia të mos kenë kurrë vend në mënyrën se si ata e kuptojnë botën”, ka theksuar ajo.
Gërvalla ka bërë të ditur se mendimet dhe perspektivat e nxënësve do të shërbejnë edhe në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna 2027–2031, me synimin që zëri i të rinjve të jetë pjesë e politikave për një shoqëri pa dhunë.
Burimi: RTKLive
