
Policia e Kosovës ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 1 mijë e 100 eurosh ndaj një kompanie dhe drejtuesit të kamionit të saj, pasi ky i fundit kishte ndotur rrugën me baltë në fshatin Landovicë të Prizrenit.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti është evidentuar më 25 nëntor, gjatë patrullimit të rregullt të zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Prizren-Veri.
Gjatë kontrollit, policët kanë vërejtur se një kamion, pasi kishte dalë nga një terren me baltë në afërsi të një vendpunishteje, kishte ndotur rrugën e asfaltuar, pasi drejtuesi nuk i kishte pastruar rrotat e automjetit.
Përveç ndotjes së rrugës, kjo kishte rrezikuar edhe sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion.
Për këtë shkelje, kompanisë pronare të kamionit i është shqiptuar gjobë prej 1 mijë eurosh, ndërsa shoferit 100 euro.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve për parandalimin e dukurive që rrezikojnë sigurinë në komunikacion dhe jetën e qytetarëve.
Burimi: Insajderi