Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se institucionet e vendit janë duke punuar me intensitet për përmbushjen e obligimeve që dalin nga agjenda evropiane dhe Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, me qëllim që Kosova të mos rrezikojë humbjen e fondeve të parapara nga ky mekanizëm.
Haxhiu ka thënë se pas dy vitesh bllokadash politike dhe proceseve zgjedhore, institucionet kanë rifilluar punën për realizimin e detyrimeve të mbetura.
“Ne kemi pasur dy vite bllokada. Fatkeqësisht, domethënë, nuk kemi arritur që të shmangim zgjedhjet që i kemi pasur të panevojshme, të paktën dy prej tyre kanë qenë të panevojshme”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, Kuvendi ka identifikuar dy obligime kryesore në kuadër të Planit të Rritjes, përkatësisht funksionalizimin e Komisionit për Ndihmë Shtetërore dhe miratimin e Kodit Etik për deputetët.
“Prandaj me shpejtësi të paparë, me hapa të shpejtë ne kemi vazhduar punën në obligimet që kemi”, është shprehur Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit ka përmendur edhe projektligjet e përfshira në agjendën legjislative, duke theksuar se një pjesë e tyre tashmë është proceduar nga Qeveria dhe është miratuar nga Kuvendi, ndërsa obligime të tjera mbeten për t’u përmbushur.
Sipas saj, përmbushja e këtyre kritereve është me rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi vonesat mund të ndikojnë në përfitimin e mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian.
“Është e rëndësishme që të mos humbim fonde nga Bashkimi Evropian që dalin nga Plani i Rritjes e megjithatë po bëjmë përpjekje maksimale që kjo të mos ndodhë”, tha Haxhiu.
Burimi: RTKLive
