Mbërrijnë në Zambi dozat e para të ilaçit gjenerik për parandalimin e HIV-it

Mbërrijnë në Zambi dozat e para të ilaçit gjenerik për parandalimin e HIV-it

Written by

in

Dozat e para të versionit gjenerik të një medikamenti që ofron mbrojtje ndaj HIV-it për gjashtë muaj kanë mbërritur të mërkurën në Zambi. Dërgesat e tjera pritet të mbërrijnë në Ugandë gjatë ditëve në vijim.

Nisma është pjesë e një plani për të siguruar që edhe njerëzit në vendet me të ardhura të ulëta të kenë qasje në këtë ilaç të ri, i cili pritet të kushtojë rreth 40 dollarë në vit për person dhe gradualisht të bëhet i disponueshëm në 120 shtete, transmeton Telegrafi.

Medikamenti quhet lenacapavir dhe jepet përmes injeksionit dy herë në vit. Ai përdoret si profilaksi para ekspozimit ndaj HIV-it (PrEP) dhe, sipas të dhënave, është pothuajse 100 për qind efektiv në parandalimin e infektimit. Kjo metodë është dukshëm më praktike sesa tabletat parandaluese që duhet të merren çdo ditë.

“Me kërkesën për këtë injeksion që tejkalon shumë ofertën, mbërritja e versioneve gjenerike shënon një hap të rëndësishëm drejt bërjes së kësaj mundësie parandaluese më të qasshme dhe më të përballueshme për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, tha Tenu Avafia, zëvendësdrejtor ekzekutiv i Unitaid, një agjenci globale e shëndetësisë.

Medikamentet janë pjesë e një dërgese të organizuar nga Fondi Global, një partneritet ndërkombëtar që synon luftimin e AIDS-it, tuberkulozit dhe malaries. Pas përfundimit të procedurave të zhdoganimit në Zambi, ato pritet të vihen në përdorim brenda tri javësh.

Në vitin 2025, Komisioni Evropian dhe Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratuan lenacapavirin me emrin tregtar të prodhuesit Gilead Sciences. Në fillim të këtij muaji, FDA miratoi edhe versionin gjenerik, megjithëse ai nuk mund të shitet në SHBA për shkak se mbetet i mbrojtur nga patenta e Gilead.

Kompania Gilead ka nënshkruar marrëveshje licencimi pa pagesë të honorareve me gjashtë prodhues të barnave gjenerike, me qëllim rritjen e prodhimit të medikamentit. Këto licenca vullnetare mbulojnë një grup të caktuar vendesh në Afrikën Sub-Sahariane, Azi dhe Amerikën Latine.

Përfaqësues të Gilead thanë se marrëveshjet u nënshkruan disa muaj para miratimit rregullator, për të mundësuar furnizimin e hershëm me versione gjenerike. Kompania gjithashtu bashkëpunoi me prodhuesit dhe partnerët ndërkombëtarë të shëndetësisë.

Versioni gjenerik i miratuar nga FDA është zhvilluar nga kompania indiane Dr. Reddy’s Laboratories, në kuadër të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Unitaid dhe partnerët e saj, të cilët synuan të përshpejtonin zhvillimin dhe ta bënin ilaçin të përballueshëm.

“Qasja në këtë medikament është prioritet, sepse e dimë se përparimet si lenacapaviri kanë rëndësi vetëm kur arrijnë te njerëzit që kanë më së shumti nevojë për to”, deklaroi Daniel O’Day, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i Gilead.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vitin e kaluar rreth 41 milionë njerëz në mbarë botën jetonin me HIV, ndërsa 570 mijë persona vdiqën nga shkaqe të lidhura me virusin.

“Për herë të parë kemi një mundësi të jashtëzakonshme për të arritur te miliona njerëz të tjerë që rrezikojnë të infektohen me HIV. Kështu e afrojmë më shumë synimin për t’i dhënë fund AIDS-it”, tha Peter Sands, drejtor ekzekutiv i Fondit Global. /Telegrafi/