Komisionerja Marta Kos tregon hapat kyçe të Shqipërisë drejt BE: Keni një avantazh

Komisionerja Marta Kos tregon hapat kyçe të Shqipërisë drejt BE: Keni një avantazh

Written by

in

Komisionerja Marta Kos tregon hapat kyçe të Shqipërisë drejt BE: Keni një avantazh

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, duke folur në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian në Tiranë, tha se Shqipëria ka bërë një përparim shumë të mirë në rrugën dhe aspiratën e saj drejt Bashkimit Europian, transmeton klankosova.tv.

Sipas Top Channel, ajo u bëri thirrje partive politike dhe shoqërisë që të bashkohen dhe jo thjesht të debatojnë, në mënyrë që të përmbushen këto aspirata. Ajo tha se një avantazh që ka Shqipëria është fakti që shumica e qytetarëve e mbështesin anëtarësimin në BE.

“Gjatë vitit të fundit, Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vendi juaj i ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave në vetëm 13 muaj. Katër kapituj janë mbyllur tashmë. Presim që deri në fund të këtij viti të mbyllet gati një e katërta e të gjithë kapitujve të negociatave.

Ju keni ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe keni ngritur institucione për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kjo është baza për të fituar besimin e shteteve tona anëtare, që është i nevojshëm për të përmbyllur me sukses negociatat dhe për të marrë miratimin e të 27 vendeve anëtare për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Shprehja më e dukshme e këtij besimi ishte miratimi, nga vendet anëtare, i raportit të vlerësimit të kritereve të ndërmjetme për sundimin e ligjit, në maj të këtij viti. 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë. Udhërrëfyesi që botuam në fillim të muajit dhe për të cilin folët, zoti Balla, tregon rrugën përpara. Por të gjithë e dimë se një udhërrëfyes në letër nuk është garanci. Sa më shumë i afrohemi anëtarësimit, aq më e rëndësishme bëhet të tregohet se institucionet funksionojnë dhe se ligjet zbatohen në praktikë.

Për shtetet tona anëtare, rezultatet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe përafrimi me legjislacionin mjedisor të BE-së, do të jenë ndër provat më vendimtare. Vëmendja do të jetë te zbatimi dhe te veprimet konkrete.

Në fushën e sundimit të ligjit, prova vendimtare do të jetë mënyra se si autoritetet u përgjigjen hetimeve, përfshirë rastet kur duhet të japin llogari edhe njerëzit me pushtet. Pikërisht në zbatim shihet nëse institucionet janë vërtet të pavarura dhe nëse shoqëria po ndryshon realisht.

E dimë se ngritja e institucioneve që japin llogari është ndër sfidat më të vështira për vendet kandidate. Është e vështirë kudo, edhe në shtetet tona anëtare. Ndryshime të tilla hasin gjithmonë në rezistencë. Ato kërkojnë një vullnet të madh politik.

Sipas meje, shumica dërrmuese e shqiptarëve mbështet anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka mbështetjen më të lartë qytetare për anëtarësimin në BE ndër të gjitha vendet kandidate. Kjo mbështetje e gjerë ju jep mandatin politik për të ndërmarrë reformat e nevojshme. Për ta ruajtur këtë mbështetje dhe për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve, është e rëndësishme t’i përfshini ata në proces. Zbatimi i ligjeve të reja është thelbësor, por po aq rëndësi ka edhe mënyra se si hartohen ato.

Këtu qëndron rëndësia e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian. Ky Këshill është një hapësirë ku e ardhmja evropiane e Shqipërisë diskutohet hapur, ku dëgjohen pikëpamje të ndryshme dhe ku mund të gjendet mirëkuptim”, u shpreh ajo.