Taksisti në Stamboll ”e fiku” reperin e famshëm amerikan, ia mori 136 euro për pak udhë

Taksisti në Stamboll ''e fiku" reperin e famshëm amerikan, ia mori 136 euro për pak udhë

Written by

in

Një taksist në Stamboll të Turqisë rrezikon të dënohet me deri në pesë vjet burg, pasi mashtroi një transmetues amerikan në internet, duke i marrë 136 euro për një udhëtim prej vetëm pesë kilometrash.

Ngjarja ndodhi më 1 qershor, pas koncertit të reperit Travis Scott, kur transmetuesi amerikan i njohur si Auger hipi në taksinë e 43-vjeçarit Hayrettin A., për të shkuar nga kompleksi Tersane Istanbul drejt hotelit të tij në lagjen Gümüşsuyu.

Udhëtimi zgjati rreth dhjetë minuta. Taksisti i kërkoi fillimisht 50 euro, shumë me të cilën pasagjeri u pajtua. Megjithatë, shoferi nuk e kishte aktivizuar taksimetrin.

Pas pagesës me kartelë bankare, Auger vërejti se nga llogaria i ishin tërhequr 136 euro, shumë dukshëm më e lartë se ajo për të cilën ishin marrë vesh, shkruan sozcu.

Ajo që taksisti nuk e dinte ishte se udhëtimi po transmetohej drejtpërdrejt në internet. Pamjet u publikuan në rrjetet sociale dhe rasti tërhoqi vëmendjen e autoriteteve turke.

Pas publikimit të videos, policia turke identifikoi dhe arrestoi taksistin. Atij iu shqiptua një gjobë administrative prej 141.500 lirash turke, iu anulua leja për drejtimin e taksisë, ndërsa automjeti iu tërhoq nga qarkullimi.

Taksisti mohon mashtrimin

Gjatë marrjes në pyetje, 43-vjeçari pretendoi se kishte përdorur një rrugë më të gjatë për shkak të kolonave dhe mbylljes së disa rrugëve. Ai tha se kishte nënshkruar procesverbalin policor pa e lexuar dhe mohoi se kishte përfituar para në mënyrë të paligjshme.

Sipas versionit të tij, shuma e tërhequr përfshinte edhe 100 dollarë që pretendonte se ia kishte dhënë pasagjerit në para të gatshme.

Megjithatë, prokuroria i ka cilësuar këto pretendime si përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë penale. Në aktakuzë thuhet se taksisti nuk e kishte aktivizuar taksimetrin dhe kishte përfituar financiarisht duke i marrë pasagjerit më shumë para sesa çmimi i dakorduar.

Për këtë vepër penale, prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me burgim nga një deri në pesë vjet.

Deri më tani nuk është caktuar data e fillimit të gjykimit. /Telegrafi/