Me rastin e 28 nëntorit, Ambasada e Shqipërisë në Shkup, organizoi pritje solemne.
Në këtë ngjarje, fjalim rasti pati ambasadori, Denion Meidani, i cili në fillim të fjalimit të tij, njoftoi se ky ishte fjalimi i fundit si Ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.
“Kam folur disa herë nga kjo foltore në ditën e flamurit, por kjo është hera e fundit, ndaj dhe fjalët e fundit janë gjithmonë e më të vështira, ndaj do të flas me zemër, me fjalët ashtu siç më vijnë. 114 vjet më parë, në Vlorë, 40 burra nga të gjitha trojet shqiptare vunë emrin poshtë një dokumenti prej pak rreshtash. Shqipëria, shkruan ata, do të ishte e lirë dhe e mosvarur. Ushtri nuk kishim, thesar nuk kishim, asnjë fuqi e madhe nuk e kishte njohur ende dhe pjesa më e madhe e vendit ishte nën ushtri të huaja. Kishin një flamur, një vendim dhe fjalën e dhënë. Për atë vendim vunë peng jetën, pasurinë dhe nderin. Atë ditë, flamuri u ngrit në një ballkon të vogël në Vlorë dhe që atëherë nuk ka zbritur më. Kanë ndërruar duar, breza, kufij, dhe sot është këtu mes nesh. Shqipëria e do Maqedoninë e Veriut të fortë, të begatë dhe pranë saj në tryezën evropiane. Suksesi i njërit është edhe suksesi i tjetrit”, tha ambasadori Meidani.
Ai përmendi disa nga arritjet dhe bashkëpunimin ndëmjet dy vendeve, duke shtuar se Maqedonia e Veriut e ka vendin krah Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Do të shkoj por po marr me vete punë të mira, si sistemi One Stop Shop që po zbatohet në pikat tona kufitare, do të marr me vete Abetaren e unifikuar që shkoi cep më cep të vendit dhe në duart e secilit nxënës. Do të marr me vete eksperiencat me studentët nga Maqedonia dhe Shqipëria që forcuan bashkëpunimin. Në Maqedoni erdha me listë takimesh, po iki me liste miqsh”, u shpreh Meidani.
Në fund të fjalimit të tij ai poashtu tha se kur po vinte për në Shkup kishte menduar se po sillte Shqipëri, mirëpo në fakt, Shqipërinë e kishte gjetur tek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. /Telegrafi