Apeli e vërteton dënimin: Ja pse Kushtrim Kokalla u dënua me vetëm 30 vjet burgim për vrasjen e Liridona Ademajt

Apeli e vërteton dënimin: Ja pse Kushtrim Kokalla u dënua me vetëm 30 vjet burgim për vrasjen e Liridona Ademajt

Written by

in

Apeli e vërteton dënimin: Ja pse Kushtrim Kokalla u dënua me vetëm 30 vjet burgim për vrasjen e Liridona Ademajt

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke lënë në fuqi dënimin me 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën, i shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt, dhe duke refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë, të palës së dëmtuar dhe të mbrojtjes.

Në arsyetimin e tij, të siguruar nga Insajderi, Apeli sqaron se shkalla e parë ka vepruar drejt dhe në përputhje me Kodin Penal kur i ka shqiptuar Kokallës dënimin prej 30 vjetësh, pasi për veprat e kryera në ndihmë ligji parasheh një dënim më të butë sesa për kryerësin e veprës penale.

Për këtë arsye, gjykata vlerëson se nuk ka pasur mundësi ligjore t’i shqiptohet burgimi i përjetshëm, ashtu siç kërkonin Prokuroria dhe përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Leutrim Syla.

Gjykata e Apelit ka vënë në pah se dënimi bazohet në vlerësimin e plotë të rrethanave rënduese sipas neneve 69 dhe 70 të KPRK-së, duke përfshirë shkallën e lartë të dashjes, rolin e Kokallës në gjetjen e Granit Plavës, pjesëmarrjen në biseda për përgatitjen e planit dhe dhënien e këshillave e udhëzimeve, përfshirë propozimin për inskenimin e një aksidenti në komunikacion, përpara se të zgjidhej inskenimi i grabitjes. Po ashtu, janë marrë parasysh kryerja e veprës në prani të dy fëmijëve të të ndjerës, mosha e re dhe gjendja e pambrojtur e viktimës, vendi e koha e kryerjes në rrugë publike pranë shtëpisë, si dhe sjellja e të akuzuarve para dhe pas ngjarjes.

Sa u përket pretendimeve për rrethana lehtësuese, Apeli vlerëson se përballë peshës së pasojës dhe rrethanave në të cilat është kryer vepra penale, ato janë irelevante dhe me të drejtë nuk janë marrë parasysh nga Gjykata Themelore, ndërsa dënimi prej 30 vjetësh është konsideruar i drejtë, i ligjshëm dhe në përputhje me qëllimin e ndëshkimit sipas nenit 38 të KPRK-së.

Burimi: Insajderi