
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për “protestën” e tij në Kuvend lidhur me rastet e vrasjeve të pasluftës në Kosovë.
Haradinaj tha se pas përfundimit të luftës dhe largimit të forcave serbe nga Kosova, pavarësisht pranisë së institucioneve ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in dhe UNMIK-un, ndodhën shumë vrasje të shqiptarëve.
Ai ka deklaruar se këto vrasje nuk duhet të shihen përmes ndarjeve politike, pasi viktimat ishin shqiptarë të pafajshëm.
“E para, ndarja: disa i quajmë të LDK-së, disa të UÇK-së e disa të dikujt tjetër. Në fakt, u vranë shqiptarë të pafajshëm, të rinj e të pabesë, dhe shumë prej atyre vrasjeve nuk u zbardhën. Unë jo vetëm që kam humbur shumë bashkëluftëtarë e kolegë të njësive, por e kam humbur edhe vëllain tim, Enverin, në këto vrasje e pabesi pas shpine. E kemi kuptuar se qëllimi i Serbisë ka qenë të largohet prej Kosovës, përmes njerëzve tanë, me nxitjen e vëllavrasjes dhe moslejimin e konsolidimit të Kosovës si shtet civil e shtetëror. Duke e ditur këtë qëllim të tyre, nuk jemi aty që të shtihemi mes vete. S’ka kush që përfiton më shumë sesa Serbia”, ka deklaruar Haradinaj.
Burimi: Insajderi