
Tiranë – Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, u bëri thirrje gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor (WB6) të përshpejtojnë zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) dhe të sigurojnë që dallimet politike të mos pengojnë integrimin ekonomik rajonal, në Samitin e Liderëve për Planin e Rritjes, të mbajtur sot në Tiranë.
Samiti mblodhi së bashku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, për të shqyrtuar progresin në zbatimin e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, për të diskutuar sfidat e mbetura dhe për të rënë dakord mbi prioritetet për avancimin e reformave, integrimin ekonomik rajonal dhe integrimin gradual në Tregun Unik të BE-së.
“Në një botë që është bërë më e vështirë për ekonomitë e vogla, ne të gjashtë ende mund të zgjedhim të mos mbetemi të vegjël. Pikërisht për këtë shërben ky treg dhe RCC-ja do ta çojë këtë punë deri në fund së bashku me ju”, tha Kapetanović, duke theksuar se integrimi rajonal është thelbësor për forcimin e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë ekonomike të Ballkanit Perëndimor.
Duke iu drejtuar liderëve, Kapetanović nënvizoi se Tregu i Përbashkët Rajonal, i koordinuar nga RCC-ja, është një nga shtyllat e Planit të Rritjes të BE-së, duke plotësuar reformat e brendshme dhe integrimin gradual në Tregun Unik të BE-së. Ndërsa reformat e përgatisin rajonin për Tregun Unik, integrimi ekonomik rajonal u siguron bizneseve të tij shkallën e veprimtarisë dhe konkurrueshmërinë e nevojshme për të pasur sukses në këtë treg.
Ai vuri në dukje arritjet konkrete që dëshmojnë përfitimet e bashkëpunimit rajonal, përfshirë roaming-un me tarifa vendore në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor që nga viti 2021 dhe anëtarësimin e katër ekonomive të Ballkanit Perëndimor në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), gjë që ka ulur ndjeshëm kostot e pagesave ndërkombëtare. Megjithatë, ai paralajmëroi se pengesat administrative, kufizimet në ofrimin e shërbimeve dhe dallimet në rregullore vazhdojnë të kufizojnë potencialin e tregut rajonal.
“Kemi përparuar më shpejt atje ku përfitimet ishin të dukshme, puna mbeti në nivel teknik dhe rezultati i pritshëm ishte i qartë. Kemi ngecur atje ku çështjet teknike u përfshinë në mosmarrëveshje më të gjera”, tha Kapetanović, duke bërë thirrje për përshpejtimin e zbatimit, zgjidhjen e çështjeve të mbetura dhe përcaktimin e afateve konkrete. Duke iu referuar gjetjeve të Barometrit të Ballkanit të RCC-së, Kapetanović vuri në dukje se qytetarët e njohin gjithnjë e më shumë vlerën e bashkëpunimit rajonal, por presin rezultate më konkrete, veçanërisht në një kohë kur kostoja e jetesës dhe pasiguria ekonomike mbeten shqetësime të mëdha.
Liderët e Ballkanit Perëndimor mirëpritën progresin e arritur në avancimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe shprehën vlerësimin e tyre për punën dhe rolin koordinues të RCC-së në mbështetjen e integrimit ekonomik rajonal dhe zbatimin e Planit të Rritjes. Diskutimet theksuan rëndësinë e ruajtjes së ritmit të progresit, adresimit të pengesave të mbetura dhe sigurimit që angazhimet rajonale të përkthehen në përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset.
Me hyrjen e Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje në vitin e tij të fundit dhe me afrimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025–2028 në mesin e periudhës së zbatimit, ritmi i zbatimit duhet të përshpejtohet ndjeshëm. Përmbushja e angazhimeve të mbetura do të kërkojë koordinim më të fortë, mbështetje politike dhe gatishmëri për kompromis në interesin e përbashkët rajonal. Si kuadër bashkëpunimi që i përket vetë rajonit, RCC-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me qeveritë e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, Komisionin Evropian dhe partnerët rajonalë për të koordinuar zbatimin, monitoruar progresin dhe mbështetur përmbushjen e angazhimeve të Tregut të Përbashkët Rajonal.
Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes i parapriu një sërë takimesh të nivelit të lartë në Tiranë, përfshirë Takimin Ministror për Turizmin, i cili shënoi lançimin e Instrumentit Rajonal të Turizmit për Gjashtë Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar nga RCC-ja, Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor “New Frontier”, ku Kapetanović prezantoi një portofol rajonal me 32 mundësi investimi, si dhe Takimin Ministror për Integrimin Evropian. Së bashku, këto takime u përqendruan në avancimin e integrimit ekonomik rajonal, tërheqjen e investimeve dhe përshpejtimin e zbatimit të Planit të Rritjes të BE-së.