
Debati për vrasjet e pasluftës dhe përdorimin e kësaj çështjeje në diskursin politik u diskutua sot në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova.
Gazetarët Gazmend Morina e Shkumbin Kajtazi dhe analistja Afërdita Maliqi shprehën qëndrime të ndryshme për rikthimin e kësaj teme në aktualitet.
Morina tha se “LDK-ja edhe vrasjet e gazetarëve pas luftës i ka quajtur vrasje politike”.
Ndërkaq, Maliqi ngriti pikëpyetje për rikthimin e debatit, duke vënë në dukje se kjo temë zakonisht bëhet pjesë e diskutimeve në prag të zgjedhjeve.
“Jemi mësuar që këtë temë ta dëgjojmë zakonisht para zgjedhjeve, por tash nuk e kuptoj çka është ndezur kaq shumë dhe pse gjithë ky vullnet për të dalë për këtë çështje”, tha Maliqi.
Ajo shtoi se familjet e viktimave kanë pasur institucione dhe mekanizma ku mund të drejtoheshin për të kërkuar përgjigje lidhur me humbjen e familjarëve të tyre.
Në anën tjetër, gazetari Shkumbin Kajtazi vlerësoi se kjo temë nuk duhet të përdoret për qëllime politike.