
Italia ka miratuar një reformë kontroverse në arsim, e cila parasheh ndalimin e mbulimit të fytyrës në shkolla dhe kufizimin në 30 për qind të numrit të nxënësve me origjinë të huaj në klasat e vitit të parë.
Partitë opozitare e kanë kritikuar këtë masë, duke e cilësuar diskriminuese.
Kufizimi prej 30 për qind, siç raporton “Euronews”, nuk do të vlejë për nxënësit që kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës italiane. Ndërkaq, ndalimi i mbulimit të fytyrës nënkupton se nxënëset myslimane nuk do të mund të mbajnë burka dhe nikab gjatë orëve mësimore, transmeton Klankosova.tv.
Dhoma e Deputetëve e miratoi përfundimisht dekretin për arsimin (Decreto Scuola), me 142 vota për, 112 kundër dhe katër abstenime. Më herët, më 20 nëntor, ai ishte miratuar edhe nga Senati.
Ligji i datës 30 shtator 2026, përmban masa urgjente për të siguruar fillimin e rregullt të vitit shkollor 2026/2027, për të mbështetur zbatimin e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (PNRR), si dhe për të nxitur integrimin e nxënësve të huaj.
Votimi përfundimtar u shoqërua me protesta të deputetëve të opozitës, të cilët shpalosën në sallën e Kuvendit një pankartë me mbishkrimin: “Në shkollë askush nuk është i huaj”. /Klankosova.tv