Incidentet ndodhën të enjten, pak para fillimit të ndeshjes, kur tifozët e Marseille sulmuan mbështetësit bullgarë, pas provokimeve në tribuna. Si pasojë, rreth dymbëdhjetë tifozë bullgarë mbetën të lënduar.
Genesio e ka dënuar si dhunën e tifozëve vendas, ashtu edhe sjelljen e tifozëve bullgarë, të cilët, sipas tij, kishin bërë përshëndetje naziste dhe imitime të zërave të majmunëve, në shenjë racizmi.
“Natyrisht, e dënoj dhunën, por dënoj edhe sjelljen e tifozëve bullgarë, të cilët bënë përshëndetje naziste dhe brohoritje me imitime të majmunëve. Kjo nuk ka vend në një stadium futbolli, ashtu siç nuk ka vend as në jetën e përditshme”, ka deklaruar Genesio.
Prokuroria në Marseille ka nisur hetimet për incidentet. Të premten, autoritetet franceze kanë njoftuar se po hetojnë dyshimet për ushtrim të dhunës së rëndë nga tifozët vendas ndaj mbështetësve bullgarë.
Po ashtu, hetimet përfshijnë edhe dyshimet për nxitje të urrejtjes, pas përshëndetjeve naziste dhe provokimeve të tifozëve bullgarë.
Edhe UEFA ka nisur procedura disiplinore lidhur me ngjarjet, por Genesio nuk ka dashur të komentojë se çfarë dënimi mund të marrë klubi francez.
“Kjo nuk është përgjegjësia ime. Ka autoritete që kanë për detyrë të gjykojnë atë që ka ndodhur. E dimë se ekziston mundësia e sanksioneve dhe do t’i pranoj ato”, ka thënë trajneri i Marseille.
Ai ka përsëritur se dënon si dhunën, ashtu edhe provokimet e papranueshme që ndodhën gjatë kësaj ngjarje.
Burimi: RTKLive
