Hoti: S`jam i bindur se Projektligji për Specialen sjell ndryshimet e nevojshme

Hoti: S`jam i bindur se Projektligji për Specialen sjell ndryshimet e nevojshme

Written by

in

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Hoti tha se reagimet e BE-së ishin të pritshme, duke iu referuar kërkesës për konsultime paraprake për ndryshimet në këtë ligj.

Ai shprehu gjithashtu rezerva nëse ndryshimet e miratuara do të sjellin rezultatet e nevojshme për mbrojtjen e duhur të personave që po gjykohen në Hagë.

“Sa i përket reagimit të Bashkimit Evropian, i keni parë reagimet e tij, në të cilat këto ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë cilësuar si të papranueshme. Ligji u votua javën e kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Siç mund të flas tani në emër të Qeverisë, nëse flas në emrin tim, do të citoja një fjali të kryeministrit Kurti, të thënë ditën kur u votuan ndryshimet për Dhomat e Specializuara. Kryeministri Kurti e ka theksuar shumë mirë se nuk jemi shumë të bindur për këtë. Megjithatë, besoj se partia që i ka hartuar ndryshimet është konsultuar me akterë të tjerë dhe me Apelin. Sa i përket kësaj çështjeje, do të shohim se çfarë strategjie do të ndiqet. Por, edhe unë personalisht, si Andin, nuk jam shumë i bindur se këto ndryshime do të sjellin rezultatet e nevojshme për të siguruar një mbrojtje të duhur. Po theksoj se kjo është çështje që u përket atyre që sot ndodhen në Hagë”, tha Hoti.

Ministri theksoi se reagimet e Bashkimit Evropian lidhen edhe me procedurën e ndjekur gjatë hartimit të ndryshimeve ligjore. Ai rikujtoi se për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara parashihet konsultimi paraprak me BE-në.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të formojë një grup punues për hartimin e një strategjie shtetërore që do të përqendrohet në procedurat e Apelit për rastin e katërshes së UÇK-së.

Hoti ka bërë të ditur se grupi punues do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Ai ka theksuar se ende nuk mund të caktohet një afat për përfundimin e strategjisë, pasi procesi varet nga disa faktorë. Megjithatë, sipas tij, puna duhet të nisë menjëherë, duke u treguar të kujdesshëm në hartimin e saj.

Hoti ka paralajmëruar se strategjia duhet të trajtohet me kujdes, në mënyrë që të shmangen gabimet që mund të shkaktohen nga ngutja.

 

Burimi: RTKLive