
Termokos thotë se përgatitjet për sezonin e ri të ngrohjes kanë filluar që nga përfundimi i sezonit të kaluar, pra që nga prilli i këtij viti.
Zëdhënësja e ndërmarrjes, Aferdita Uka, në emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova, theksoi se përgatitjet bwhen menjwherw pas pwrfundimit tw sezonit ngrohws.
Sipas saj, departamentet operative-teknike kanë hartuar planet verore dhe kanë realizuar të gjitha aktivitetet e parashikuara. Ajo tha se janë pastruar këmbyesit e nxehtësisë dhe janë zëvendësuar pajisje të ndryshme, përfshirë valvulat e sigurimit, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e sistemit.
Uka shtoi se ndërmarrja është në prag të sezonit të ri dhe po kryen testimet e fundit të pajisjeve. Pas kësaj, do të fillojë marrjen e sasive të para të avullit nga KEK-u, për të prodhuar energjinë ngrohëse dhe për ta shpërndarë atë te mbi 25 mijë konsumatorë, sa janë aktualisht të lidhur me rrjetin e ngrohjes.
“Në fakt, siç e kam ritheksuar shumë herë, ne përgatitjet i bëjmë që nga përfundimi i sezonit të kaluar ngrohës, pra që nga prilli i këtij viti. Departamentet operative-teknike të ndërmarrjes kanë përgatitur planet aksionale verore, në kuadër të të cilave janë realizuar të gjitha aktivitetet e planifikuara, të cilat kanë qenë të nevojshme për përgatitjen e sistemit të ngrohjes për një funksionim sa më të mbarë të rrjetit të ngrohjes gjatë këtij sezoni ngrohës për të cilin jemi. Tashmë janë realizuar të gjitha ato ndërhyrje në rrjetin e ngrohjes, në pajisjet e ngrohjes. Ka pasur intervenime në rrjetin e ngrohjes kudo që ka pasur vështirësi apo probleme në qarkullimin e ngrohjes në sezonin e fundit ngrohës. Pastaj janë pastruar kwmbyesit e nxehtwisw, janë ndërruar pajisje të ndryshme, valvula siguruese e të tjerë, të cilat janë të domosdoshme për një funksionim sa më të mirë të sistemit të ngrohjes. Tashmë jemi në prag të këtij sezoni, na ndajnë edhe pak orw para se të fillojmë furnizimin me ngrohje për të gjithë konsumatorët tanë. Po bëhen testimet e fundit të pajisjeve, të funksionimit të tyre para se të fillojmë të marrim sasitë e para të avullit nga KEK-u për të prodhuar energjinë ngrohëse dhe për ta shpërndarë atë tek mbi 25 mijë konsumatorë sa i kemi aktualisht të kyçur në rrjetin e ngrohjes”, tha ajo.