
Për më shumë se 30 vjet martesë, mëngjeset i kishin të njëjta. Por, gjithçka ndryshoi mëngjesin e 19 qershorit të vitit 2022, kur kafeja e mëngjesit u ftoh pa u pirë si çdo ditë tjetër.
Mëngjesin e para katër viteve, Hasime Latifaj e gjeti bashkëshortin të vdekur në kopshtin e oborrit të shtëpisë së tyre.
Siç rrëfen ajo, së pari pa gjak nën pemën që gjendet në oborr, dhe pak më tutje pa edhe trupin e pajetë të të shoqit.
Sipas saj, ky detaj e bën të dyshojë se bashkëshortin ia vranë.
Sipas raportit të mjekësisë ligjore, Rexhep Latifaj vdiq si pasojë e thyerjes së kafkës të shkaktuara nga ndonjë mjet i fortë ose gjatë rënies në mjet të fortë, rënie nga lart.
Pra sipas tyre, atëkohë 73-vjeçari humbi jetën pasi që ra nga pema e qershisë në oborrin e tij.
Mirëpo me atë version nuk po pajtohet e shoqja Hasimja.
75-vjeçarja për KIKS-in rrëfeu pretendimin e saj se burrin ia vranë në mënyrë që t’ia marrin pasurinë meqenëse çifti nuk u bënë asnjëherë prindër, andaj nuk kanë pasardhës.
Tanimë duke jetuar e vetme, Hasimja thotë se që nga vitit 2022 mbyllet në shtëpi që nga ora 4 e pasdites, pasiqë frikësohet se edhe asaj do i bëjnë diçka.
Pretendimi i “vrasjes” së bashkëshortit është hedhur poshtë nga Prokuroria Themelore në Pejë.
Zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi për KIKS-in ka thënë se nëse do sigurojnë prova të reja lidhur me pretendimet, patjetër që do ndërmarrin të gjitha masat deri në zbardhje.
Nikçi për KIKS-in shpjegoi se me të marrë lajmin, Prokuroria kishte dalë në terren dhe kishin ndërmarrë hapat e nevojshëm.
Pas marrjes së dëshmitarëve, rasti është cilësuar si “vdekje aksidentale”.
Më tej, Nikçi shpjegoi se edhe raporti i autopsisë ka treguar se vdekja ka ardhur si pasojë e goditjes në kokë pas rënies.
Detajet i gjeni në kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova:
Ndiqeni emisionin e plotë: