Ish-veprimtari Faton Topalli ka rrëfyer për fillimet e angazhimit të tij politik në Partinë Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ), duke thënë se rrugëtimi i tij kishte nisur në vitin 1978, kur ishte 15 vjeç.
Në intervistën në Debat Plus në kuadër të ciklit “Dosjet”, Topalli ka treguar se ndikim në formimin e tij kishte pasur edhe daja i tij, Abdullah Prapashtica, i cili, sipas tij, i kishte folur për lëvizjen ilegale shqiptare dhe figurat e rezistencës kombëtare.
“Rrugëtimi im politik i angazhuar fillon prej vitit 1978 kur marr pjesë në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi. Po angazhimi im në fakt ka filluar një pesë-gjashtë muaj më herët. Unë kam qenë 15 vjeçar në atë kohë”, ka deklaruar Topalli.
Ai ka thënë se përmes bisedave me dajën e tij ishte njohur herët me emrat e Adem Demaçit, Sabri Novosellës, Selatin Novosellës dhe Xhafer Shatrit.
“Abdullahu më ka folur shumë për lëvizjen ilegale, më ka folur shumë për Sabri Novosellën, për Adem Demaçin, për Selatin Novosellën, për Xhafer Shatrin, gjithë këto figura. Unë jam, në njëfarë mënyre jam brumosur me emrat e tyre dhe për mua kanë qenë idealet e rezistencës”, ka thënë ai.
Topalli ka treguar edhe një episod nga fëmijëria, kur Abdullah Prapashtica e kishte pyetur se kush ishte Josip Broz Tito, të cilin ai e njihte nga mësimet në shkollë si “shoku Tito”.
Sipas rrëfimit të tij, daja e kishte goditur fotografinë e Titos me laps dhe e kishte pyetur: “Çfarë shoku është ky për ty!”
Topalli ka thënë se më vonë edhe vetë kishte vepruar në të njëjtën mënyrë, duke kujtuar qëndrimin e dajës së tij.
Ai ka deklaruar se në gusht të vitit 1978 ishte angazhuar si anëtar i Komitetit Qendror të PKMLSHJ-së, ku, sipas tij, merrnin pjesë edhe figura të tjera të organizatës.
Topalli ka treguar se një nga synimet e partisë ishte që anëtarët e saj të depërtonin në institucionet e pushtetit jugosllav, përfshirë policinë dhe Lidhjen Komuniste të Kosovës, me qëllim që kërkesa për Republikë të shtrohej edhe brenda strukturave ekzistuese.
Burimi: Dukagjini
