
Përmbi rrugë gjithçka duket në rregull, por nën të fshihet një defekt serioz. Ky problem doli në sipërfaqe të magjistrales Prizren-Gjakovë qysh të martën pasi gypi 50 metërsh në rrjetin kryesor të ujësjellësit shpërtheu në Krushë të Vogël.
Përveç këtij fshati, pa ujë mbetën edhe Krajku, Bregdrini, Zymi dhe Shëngjergji të Prizrenit. Që të mos prishet asfalti, ekipet teknike të Ujësjellësit ‘Gjakova’ në të dyja anët e rrugës gjurmuan gropa me thellësi mbi tetë metra për ta larguar tubacionin e vjetër.
Tash pritet që ta zëvendësojnë me këtë tub të ri. Pa furnizim me ujë, banorët ankohen se e kanë të pamundur të kryejnë aktivitetet e zakonshme ditore.
Bile thonë se ky problem është ndjerë që dhjetëra ditë.
Nga KRU Gjakova, thonë se tubacioni është prishur për shkak konsumimit për disa dekada. Nga kjo kompani njoftuan se ndërprerje të furnizimit me ujë mund të zgjas deri kah e premtja.