
Familja e William Chapmanit, 23-vjeçarit që u vra nga një tigër në një park të kafshëve të egra në Mbretërinë e Bashkuar, ka shprehur shqetësim të thellë pasi pamjet e incidentit u shpërndanë në rrjetet sociale, përfshirë edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Chapman u sulmua për vdekje të shtunën, pasi hyri në një zonë të mbyllur në Parkun e Jetës së Egër Yorkshire. Familjarët kanë bërë të ditur se i riu vuante nga një sëmundje e rëndë mendore.
Në një reagim, familja i cilësoi pamjet që po qarkullojnë në internet si “thellësisht fyese”, duke thënë se shpërndarja e tyre u shkakton “shqetësim të rëndë”. Ata u kanë bërë thirrje njerëzve që të mos e shpërndajnë videon dhe të mos e rikrijojnë atë.
Mes personave që publikuan pamjet ishte edhe presidenti amerikan, Donald Trump, i cili të martën shpërndau një video të sulmit për rreth 13 milionë ndjekësit e tij në platformën Truth Social.
Trump e shoqëroi videon me mbishkrimin: “Mos u ngatërro kurrë me natyrën! President DJT.” Sipas gazetës “The Guardian”, videoja e publikuar nga presidenti amerikan nuk e tregonte momentin e vdekjes së Chapmanit.
Më vonë, Trump publikoi edhe një video të krijuar me inteligjencë artificiale, në të cilën shfaqet duke qeshur dhe duke luajtur me një tigër. Videoja shoqërohet me këngën “The Lion Sleeps Tonight”, nga grupi The Tokens.
Në pamje, Trump imiton gjestin që kishte bërë Chapmani, duke drejtuar gishtin drejt kafshës, ndërsa videoja përfundon me presidentin amerikan dhe tigrin duke u përqafuar.
Publikimi i videos së krijuar me inteligjencë artificiale është kritikuar edhe nga Will Travers, president ekzekutiv i fondacionit “Born Free”, i cili e cilësoi atë si të pamatur.
“Pamje dhe video të tilla mund t’i nxisin njerëzit të kërkojnë kontakt të drejtpërdrejtë, jorealist dhe me rrezik të lartë me kafshët e egra që mbahen në robëri”, theksoi Travers.
Familja e 23-vjeçarit ka përsëritur thirrjen që pamjet të mos shpërndahen dhe të mos rikrijohen, duke kërkuar respekt për dhimbjen që po përjeton pas humbjes së tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Trumpi publikon pamjet e sulmit fatal të tigrit, familja e viktimës: Na shkaktojnë shqetësim të rëndë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali