Në një video-mesazh në rrjetin social, Facebook, ka shtuar se secili që ka bërë këtë katrahurë do të paguajë, sepse sipas tij, Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas.
“Deri dje kjo ishte zyra e Kolegjit të Evropës, shkollës së Evropës së bashkuar, që e çelën në Shqipëri së bashku udhëheqësit evropianë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe s’mund të jenë kurrë duart e studentëve”, tha Eama.
Ai tha se studentët janë gjithmonë të mirëpritur dhe se qeveria mbetet e gatshme për dialog, diskutim dhe gjetjen e zgjidhjeve për çështjet që kërkojnë vëmendje.
“Studentët janë ata që shohin larg dhe që duan te shkojnë më larg dhe me shpejt. Studentet janë gjithnjë te mirëpritur dhe për ta ne jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, u shpreh ai.
Rama theksoi se sulmet janë përpjekje për ta penguar Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Këto janë duart që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë që Shqipëria përpiqet të shkojë lart. Këto janë duart e një opozite e cila, me maska të verbërisë përpara, me zjarr dhe me hekur, kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku ajo nuk do të rikthehet kurrë, në humnerën nga e cila ne të gjithë së bashku e nxorëm dhe prej nga po e ngjisim drejt majës historike, drejt ëndrrës së të gjithë shqiptarëve ndër breza, Bashkimit Evropian”, deklaroi Rama.
Ai tha se zyra e Kolegjit të Evropës, si institucion i përgatitjes së gjeneratës së re të evropianëve, është bërë simbol i asaj që Tirana, Shqipëria dhe shqiptarët po përjetojnë në këto orë të vështira.
“Janë orë të vështira, por janë orë të cilat do t’i kalojmë të gjithë së bashku, sepse Shqipëria do të vazhdojë të ngjitet dhe të ecë në rrugën e saj drejt Evropës. Shqipëria nuk do të bjerë më kurrë në duart e atyre që e kanë kapur për fyti dhe e kanë zhytur gjithnjë e më thellë”, u shpreh ai.
Kryeministri deklaroi se të gjithë ata që kanë përgjegjësi për ngjarjet do të përballen me ligjin.
Burimi: RTKLive
