
Aksesorët janë mënyra më e thjeshtë për t’i dhënë një pamje të re veshjeve, edhe kur zgjedhim kombinime të thjeshta. Për sezonin vjeshtë-dimër 2026-2027, rikthehen modelet frymëzuar nga e kaluara, ngjyrat e guximshme dhe detajet që tërheqin vëmendjen.
Shamitë e mëndafshta mbeten ndër aksesorët kryesorë të sezonit. Modelet katrore me motive lulesh, vizatime artistike ose motive paisley mund të vendosen mbi supe ose të lidhen në bel. Në modë janë edhe shamitë trekëndore me thekë, ndërsa ngjyrat që dallohen janë bordoja, kafeja, jeshilja ulliri dhe e kuqja e errët.
Syzet e diellit ndahen mes dy stileve: modelet e gjera, që mbulojnë pjesën më të madhe të syve dhe kanë pamje sportive, dhe syzet e rrumbullakëta me skelet të hollë, të frymëzuara nga stili retro.
Kapelet rikthejnë elegancën e dikurshme. Kapelat e vogla, me formë të rrumbullakët, dhe ato prej gëzofi janë ndër modelet që spikasin. Edhe kësula klasike prej leshi, kadifeje ose stofi me kuadrate mbetet zgjedhje e përshtatshme, ndërsa kapelja e thurur është ideale për ditët e ftohta.
Rripat e belit nuk shërbejnë më vetëm për të mbajtur veshjet në vend, por bëhen pjesë e rëndësishme e kombinimit. Në modë janë rripat e gjerë me tokëza të mëdha, detaje dekorative dhe frymëzim nga stili perëndimor, si dhe rripat prej pëlhure që lidhen në bel.
Dorezat e gjata deri te bërryli ose më lart sjellin një pamje elegante, ndërsa modelet e shkurtra prej lëkure janë më praktike për përdorim të përditshëm. Përveç të zezës klasike, këtë sezon dallohen edhe nuancat bordo, kafe, jeshile ulliri dhe e kuqe e errët.
Getat me ngjyra rikthehen si element kryesor i stilit. Përveç të zezës, që mbetet zgjedhje e sigurt, në qendër të vëmendjes janë e kuqja e ndezur, vjollca e errët, bluja e fortë, e verdha mustardë dhe jeshilja ulliri. Në modë janë edhe getat me dantellë dhe qëndisje me motive lulesh.
Aksesorët e flokëve sjellin një rikthim të viteve ’90 dhe 2000. Krehërit e harkuar në formë zigzag vijnë me pamje më elegante, me përfundime metalike ose motive guaske breshke, shkruan living.al. Gjithashtu, kapëset me zbukurime që ngjajnë me bizhuteri, shiritat e flokëve dhe shamitë e lidhura rreth kokës plotësojnë pamjen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Aksesorët në modë për vjeshtë-dimër 2026-2027: Çfarë nuk duhet të mungojë në gardërobë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali