LEX | 22 VJET BURGIM – Gjykata shpall aktgjykimin ndaj Anton Ndrecajt për vrasjen e Mark Ademit në Klinë

LEX | 22 VJET BURGIM – Gjykata shpall aktgjykimin ndaj Anton Ndrecajt për vrasjen e Mark Ademit në Klinë

Written by

in

LEX | 22 VJET BURGIM – Gjykata shpall aktgjykimin ndaj Anton Ndrecajt për vrasjen e Mark Ademit në Klinë

Katër vjet pas vrasjes së 40-vjeçarit Mark Ademi në fshatin Pataqan të Klinës, Anton Ndrecaj është dënuar me 22 vjet burgim.

Aktgjykimi është shpallur sot, më 15 tetor 2026, duke përmbyllur procesin gjyqësor në shkallë të parë për rastin që kishte ndodhur më 15 prill 2022.

Ndrecaj ishte akuzuar për vrasjen e Mark Ademit, tentimvrasjen e dy personave të tjerë, si dhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.

Si ndodhi vrasja që tronditi Klinën?

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur pas një konflikti mes familjeve Ademaj dhe Ndrecaj, të cilat kishin lidhje farefisnore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, ngjarjes i kishte paraprirë një përleshje fizike mes vëllezërve të viktimës dhe familjarëve të të akuzuarit.

Prokuroria pretendonte se, pas konfliktit, Anton Ndrecaj kishte dalë në rrugën kryesore Klinë–Gurakoc, ku kishte hasur në veturën e Mark Ademit.

Sipas përshkrimit në aktakuzë, mes tyre kishte pasur të shtëna me armë zjarri, ndërsa si pasojë e goditjes, Ademi kishte humbur kontrollin mbi automjetin dhe kishte dalë jashtë rrugës.

Plagët e marra nga arma e zjarrit kishin rezultuar fatale për 40-vjeçarin.

Akuzohej edhe për tentimvrasjen e dy personave

Përveç vrasjes së Mark Ademit, Ndrecaj ishte akuzuar edhe për tentimvrasjen e Jeton dhe Anton Ademajt.

Sipas aktakuzës, dy të dëmtuarit, pasi kishin dëgjuar krismat, ishin afruar në vendin e ngjarjes me një veturë të tipit Golf 5.

Prokuroria pretendonte se Ndrecaj kishte shtënë gjashtë deri në shtatë herë në drejtim të tyre, duke shkaktuar dëme materiale në automjet, por pa pasoja në njerëz.

Policia kishte konfiskuar armë gjatë bastisjeve

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht në prill të vitit 2022 për veprimet hetimore dhe bastisjet e zhvilluara pas vrasjes.

Gjatë kontrolleve në pronat e të dyshuarve, Policia kishte sekuestruar armë të ndryshme, përfshirë pistoleta, pushkë gjuetie, një armë automatike AK-47 dhe municion.

Në fazën fillestare të hetimeve ishin arrestuar tre persona, ndërsa Anton Ndrecaj ishte identifikuar si i dyshuari kryesor për vrasjen.

Ndrecaj kishte mohuar fajësinë

Në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 15 maj 2023 në Gjykatën Themelore në Pejë, Ndrecaj ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i viheshin në barrë.

Ai kishte pretenduar se kishte vepruar në vetëmbrojtje, duke mos pranuar fajësinë për vrasje, tentimvrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Megjithatë, pas zhvillimit të procesit gjyqësor, sot është shpallur aktgjykimi me të cilin Ndrecajt i është shqiptuar dënimi prej 22 vjetësh burgim.

Aktgjykimi i shkallës së parë mund të ankimohet sipas procedurave ligjore.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post LEX | 22 VJET BURGIM – Gjykata shpall aktgjykimin ndaj Anton Ndrecajt për vrasjen e Mark Ademit në Klinë appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali