
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kritikuar Serbinë për pretendimet territoriale ndaj Kosovës, si dhe për mosdorëzimin e Milan Radojiçiqit, të cilin e ka cilësuar si kryeterrorist dhe organizator të sulmit në Banjskë.
Duke folur në foltoren e Kuvendit të Kosovës, Nagavci tha se Radojiçiq është shfaqur më 9 tetor në Kragujevc, pranë djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në një tubim të Partisë Progresive Serbe, ndonëse ndaj tij është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar përmes Interpolit.
“Më 9 tetor, në Kragujevc, kryet terroristi Milan Radojiçiq u shfaq pranë djalit të Aleksandër Vuçiqit në tubimin e Partisë Progresive Serbe. Organizatori i sulmit terrorist të Banjskës, ku u vra heroi ynë, rreshteri Afrim Bunjaku, i sanksionuar ndërkombëtarisht për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe ndaj të cilit është lëshuar fletë-arrestin ndërkombëtar përmes Interpolit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi”, ka thënë ajo.
Sipas Nagavcit, shfaqja e Radojiçiqit pranë familjes së presidentit serb ndodhi në një kohë kur në Serbi po zhvillohen protesta kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes. Ajo kritikoi Beogradin zyrtar për mosdorëzimin e tij te autoritetet e Kosovës dhe për moszbatimin e fletarrestimit ndërkombëtar.
Nagavci kritikoi gjithashtu deklaratat e zyrtarëve serbë lidhur me Kosovën, duke i cilësuar ato si vazhdimësi të pretendimeve territoriale të Serbisë.
“Çfarë shteti është ky në mes të Evropës? Shtet i papërgjegjshëm, i padenjë për çdo lloj marrëdhënie ndërkombëtare. Më 7 tetor, ndërkaq, në Rashkë, Ivica Daçiq deklaroi se flamuri serb do të valvitet mbi Prizren dhe se Kosova mund të jetë e pushtuar, por kurrë e pavarur. Ne nuk habitemi. Këto nuk janë vetëm deklarata elektorale, por vazhdimësi e pretendimeve territoriale nga të cilat Beogradi nuk ka hequr dorë. Edhe nderimet publike për Ratko Mladiqin, të dënuar për gjenocid, e dëshmojnë këtë trashëgimi politike”, ka thënë ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Nagavci: Serbia vazhdon me pretendime territoriale ndaj Kosovës, Radojiçiq mbetet i lirë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali