
Ish-kryeshefi i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Luan Latifi, është liruar nga akuza për korrupsion, pasi Gjykata ka konstatuar se nuk është vërtetuar fajësia e tij.
Aktgjykimi lirues është shpallur sot, më 15 tetor 2026, në një rast që kishte nisur në vitin 2021, pas arrestimit të dy zyrtarëve të lartë të KPM-së nën dyshimet për marrje ryshfeti.
Rasti lidhet me dyshimet për marrjen e 8 mijë eurove ryshfet, me qëllim ndikimin në shmangien e ndëshkimit të një subjekti biznesor për shkelje të pretenduara të rregullave të KPM-së.
Nga arrestimi në vitin 2021 te dënimi me burgim në vitin 2024
Gazeta Sinjali kishte raportuar më 30 qershor 2021 për arrestimin e Luan Latifit dhe Arben Bilallit, drejtorit të atëhershëm të Administratës dhe Financave në KPM.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, rasti lidhej me kompaninë “Tel Kos”, nga e cila dyshohej se fillimisht ishin kërkuar 20 mijë euro, ndërsa më pas ishte përmendur shuma prej 8 mijë eurosh.
Sipas aktakuzës, shuma prej 8 mijë eurosh dyshohej se ishte dorëzuar në një restorant në Gjilan, ndërsa paratë ishin sekuestruar nga Policia.
Në janar të vitit 2022, Gjykata e Apelit kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Latifit, ndërsa në korrik të po atij viti, Arben Bilalli ishte dënuar me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro gjobë, pasi kishte pranuar fajësinë.
Procesi gjyqësor ndaj Latifit kishte vazhduar ndaras.
Më 13 shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Luan Latifin me dy vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë për marrje ryshfeti.
Gjykata tani e liron nga akuza
Pas zhvillimeve të mëtejshme procedurale, sot është shpallur aktgjykimi lirues ndaj Latifit, me arsyetimin se nuk është vërtetuar fajësia e tij për veprën penale që i vihej në barrë.
Kështu, rasti që kishte nisur me arrestimin e ish-kryeshefit të KPM-së dhe kishte rezultuar me një aktgjykim dënues në vitin 2024, tashmë ka marrë një tjetër epilog në shkallë të parë.
Aktgjykimi i sotëm mund të ankimohet në përputhje me dispozitat ligjore.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post LEX | Nga dënimi me 2 vjet burgim te lirimi nga akuza – Kthesë në rastin e 8 mijë eurove ryshfet ndaj ish-kryeshefit të KPM-së, Luan Latifi appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali