
Aleanca Veriatlantike (NATO) ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë ka mbetur e qëndrueshme në përgjithësi dhe ka vazhduar të përmirësohet.
Në njoftimin për ceremoninë e ndërrimit të komandës së misionit të KFOR-it, NATO-ja theksoi se procesi i optimizimit të trupave të KFOR-it është në vazhdin dhe se përfshin një rregullim gradual dhe të kalibruar të pozicionimit dhe fuqisë së KFOR-it gjatë vitit në vijim.
“Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n. Angazhimi i Aleancës për stabilitetin rajonal është i palëkundur, dhe KFOR-i vazhdon të kontribuojë në sigurinë e qëndrueshme për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe në lirinë e lëvizjes”, thuhet në komunikatë.
Gjeneralimajor Roberto Vergori, nga Italia, mori drejtimin e misionit KFOR, të udhëhequr nga NATO-ja, në një ceremoni ndërrimi komande të mbajtur në Selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Ai e zëvendëson gjeneralin major Ozkan Ulutash, nga Turqia. Ceremonisë i ka kryesuar admirali George M. Wikoff, komandanti i Allied Joint Force Command Naples, ndërsa të pranishëm kanë qenë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar.