Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se 15 zyrtarë nga komuniteti serb kanë paraqitur ankesa kundër vendimeve për transferim brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa katër të tjerë janë larguar nga shërbimi civil, pasi më parë nuk kishin ushtruar detyra zyrtare në ministri.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, lidhur me pagesat për zyrtarët që, sipas shqetësimit të ngritur, kanë marrë paga pa punuar, Kurti ka thënë se ish-Ministria e Administratës Publike kishte qenë e obliguar të sistemonte 20 punonjës nga komuniteti serb, me qëllim të integrimit të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.
“ish-ministria administratës publike ish i obliguar që të sistemonte 20 punonjës të komunitetit serb, me qëllim të integrimit të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës. Megjithatë, që nga nënshkrimi i akteve të emërimit, këta zyrtarë nuk kanë ushtruar asnjëherë detyra zyrtare në kuadër të ministrisë. Në këtë kontekst, gjatë vitit 2025, ministria e punëve të brendshme, me cilësinë e ministrisë përgjegjëse për administratën publike, ka ndërmarrë veprime duke i transferuar ata në komisionet e tjera brenda ministrisë. Pas nxjerrjes së vendimeve për transferim, 4 prej këtyre zyrtarëve janë larguar nga shërbimi civil, si rezultat i shqetësimit të masave disiplinore ndërsa 15 të tjerë kanë paraqitur ankesa kundër vendimeve për transferim pranë këshillit të pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës”, tha ai.
Kurti ka folur edhe për ndërprerjen e kontratave të punës për 29 zyrtarë serbë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe institucionet e saj vartëse, duke thënë se vendimi është marrë për shkak të mungesave të vazhdueshme në vendet e punës dhe bazuar në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
“Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe institucionet varëse të saj, ku janë shkëputur si vjet, kontratat 29 zyrtarëve qytetarë nga komuniteti serb, të cilët ishin edhe të njohur si pjesëtarë të mbrojtjes civile, e cila në fund të qershorit të vitit 2023 u shpall organizatë terroriste, pikërisht nga qeveria jonë. 20 prej tyre ishin pjesë e ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, 7 zyrtarë kanë qenë në agjencinë për mbrojtjen e mjedisit të Kosovës, dhe 2 zyrtarë në agjenci kadastrale të Kosovës. Shkëputja e kontratave të punës për ta është bërë për shkak të mungesës së vazhdueshme në vendet e punës, dhe bazuar në rekomandimet e zyrës kombëtare të auditimit, me qëllim të adresimit të parregullsive të evidentuara”, tha Kurti./EO
Burimi: Dukagjini
