Gazetari serb kritikon Vuçiqin për kërcënimet ndaj kundërshtarëve politikë: Po zhvillon luftë personale

Gazetari serb kritikon Vuçiqin për kërcënimet ndaj kundërshtarëve politikë: Po zhvillon luftë personale

Written by

in

Gazetari serb Radomir Dimiq ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për gjuhën dhe kërcënimet ndaj kundërshtarëve politikë gjatë fushatës parazgjedhore, duke e akuzuar atë se po e shndërron garën zgjedhore në një përplasje personale.

Në një reagim, Dimiq ka ngritur pikëpyetje për qasjen e Vuçiqit ndaj liderëve të Luginës së Preshevës, të cilët, sipas tij, po shënjestrohen për shkak të bashkimit të tyre për të garuar së bashku në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të parapara për 25 tetor.

Gazetari ka kritikuar gjithashtu presidentin serb për sulmet ndaj djalit të ministrit në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i cili, sipas reagimit të tij, është parë duke vallëzuar me studentët në Nish.

Dimiq ka vënë në pikëpyetje qëndrimin e Vuçiqit ndaj të rinjve që shprehin mbështetje për lëvizjet studentore, duke e kritikuar atë për sulmet ndaj një të riu për shkak të lidhjes familjare me Rashiqin.

“Zoti Aleksandar Vuçiq, a nuk mendoni se e keni tepruar pak me etiketimet dhe kërcënimet brutale ndaj njerëzve që janë në anën e kundërt politike nga ju?”, ka shkruar Dimiq.

Ai ka akuzuar Vuçiqin se, në vend të një fushate demokratike, po zhvillon një përballje personale kundër atyre që e kundërshtojnë politikisht.

“Zoti Vuçiq, ju nuk po zhvilloni një fushatë zgjedhore demokratike. Ju po zhvilloni luftën tuaj personale, i vetëm kundër të gjithë atyre që duan ta shpëtojnë vendin nga ju dhe regjimi juaj kriminal”, ka deklaruar gazetari.

Në përfundim të reagimit të tij, Dimiq ka shprehur bindjen se kundërshtimi ndaj pushtetit aktual mund të shënojë fillimin e një procesi drejt drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë për qytetarët e Serbisë.

Burimi: Dukagjini