Futbollisti legjendar kolumbian qeth flokët, befason me look-un e ri

Futbollisti legjendar kolumbian qeth flokët, befason me look-un e ri

Written by

in

Futbollisti legjendar kolumbian qeth flokët, befason me look-un e ri

Legjenda e futbollit kolumbian, Carlos Valderrama, ka surprizuar tifozët me një ndryshim të madh në pamjen e tij, duke hequr dorë nga flokët kaçurrela biondë që e karakterizuan për dekada të tëra.

Ish-mesfushori 65-vjeçar e ka ndarë këtë transformim përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku shihet bashkëshortja e tij, Elvira Redondo, duke ia rruar kokën.

Kjo ka bërë bujë në mediat ndërkombëtare, transmeton Klankosova.tv.

“Populli im! Sot është dita”, ka shkruar Valderrama në publikimin e tij, pa dhënë më shumë detaje për arsyen e këtij vendimi.

Ndryshimi i tij i ri ka tërhequr vëmendjen e tifozëve, pasi flokët e gjatë dhe kaçurrelë ishin shndërruar në një nga shenjat më dalluese të ish-futbollistit, i njohur me nofkën “El Pibe”.

Valderrama ishte një prej figurave më të njohura të futbollit kolumbian gjatë viteve ’90, periudhë në të cilën u dallua si për cilësitë teknike, ashtu edhe për pamjen e tij të veçantë.

Madje, para Kampionatit Botëror të vitit 1994, ai kishte refuzuar një ofertë prej dy milionë dollarësh për t’i prerë flokët, duke dëshmuar se ato ishin bërë pjesë e pandashme e identitetit të tij.

Kësaj radhe, megjithatë, ish-kapiteni i Kolumbisë ka vendosur të bëjë një ndryshim që pak kush do ta imagjinonte.

Mes atyre që reaguan ndaj pamjes së re ishte edhe ish-portieri kolumbian René Higuita, i cili e përgëzoi për dukjen e re.

Valderrama ka përfaqësuar Kolumbinë në tri Kampionate Botërore, në vitet 1990, 1994 dhe 1998, duke mbetur një nga emrat më të spikatur në historinë e futbollit të këtij vendi.