
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka paralajmëruar se protesta të tjera mund të zhvillohen në Shqipëri gjatë ditëve në vijim, pas përplasjeve të dhunshme të së enjtes.
Përmes një njoftimi, ambasada bëri të ditur se demonstratat, të nisura në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, dhe të zhvilluara në zonat përreth ndërtesave qeveritare, janë përshkallëzuar në dhunë.
Sipas njoftimit, gjatë protestave janë përdorur mjete ndezëse, janë hedhur gurë dhe janë dëmtuar prona publike e private.
Ambasada amerikane ka paralajmëruar se demonstratat mund të shtrihen edhe në rrugët përreth, duke shkaktuar prani të shtuar policore, probleme në qarkullim, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh.
Për këtë arsye, personelit të ambasadës i është rekomanduar të shmangë zonat ku zhvillohen demonstratat, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të qëndrojnë vigjilentë dhe t’i japin përparësi sigurisë personale.
Në njoftim, ambasada këshillon qytetarët të përcjellin mediat lokale, të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të kenë një plan për t’u larguar nga zonat në rast rreziku.
Po ashtu, rekomandohet shmangia e protestave dhe kujdesi i shtuar ndaj mjedisit përreth, veçanërisht në zonat ku mund të ketë përplasje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Dhuna në protestat e Shqipërisë, SHBA-ja paralajmëron për trazira të mundshme appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali