
Drilon Cokli, vëllai i Erona Coklit, e cila u vra në moshën 21-vjeçare nga ish-bashkëshorti i saj, ka rrëfyer për Sinjalin momentet e rënda të ngjarjes tragjike, në të cilën edhe vetë mbeti i plagosur.
Ai ka treguar se ende e ka të vështirë ta pranojë humbjen e motrës, duke kujtuar çastet kur ajo u qëllua me armë zjarri brenda ambienteve të Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, më 12 prill 2024.
“Është shumë interesante, nuk munda ta kuptoja as si bëhet fjalë që motra ime nuk është gjallë. E pashë ishte para syve të mi. Është e vërtetë, kur u godit me armë për herë të parë, e pashë të mbështetur për muri, pastaj i njëjti person më goditi edhe mua”, rrëfen Cokli për Sinjalin.
Ai ka përshkruar edhe momentet kur, pas të shtënave të para, doli në korridor duke kërkuar ndihmë, ndërsa më pas dëgjoi të shtëna të tjera.
“Mund të them se kanë kaluar rreth 20 minuta. Dola në prag të derës dola nga aty dhe dëgjova edhe një krismë. Ajo krismë e vulosi vrasjen e saj”, ka rrëfyer ai.
Drilon Cokli ka treguar se pas plagosjes jeta e tij ndryshoi tërësisht. Ai kujton dhimbjet fizike, vështirësitë gjatë rikuperimit dhe makthet që e shoqëronin gjatë netëve.
“Nuk është e lehtë që një 15-vjeçar ta kalojë gjithë atë traumë. Në fillimet pas plagosjes sime ishte shumë e rëndë. Ishte makthi që të kapte çdo natë, ishte dhimbja e krahut që nuk të lejonte të qëndroje rehat. Ishte jetë e vështirë në ato momente”, ka thënë ai për Sinjalin.
Ai ka treguar se përpiqej të qëndronte i fortë para familjes, edhe pse e kishte të vështirë ta përballonte humbjen e motrës.
“Sot, kur e mendoj, e kisha motrën para syve. Kur u bë edhe varrimi kur e kisha para vetes, nuk munda të qaja. Nuk po e besonin sytë e mi atë që kishte ndodhur”, është shprehur Cokli.
Rasti i vrasjes së Erona Coklit është rikthyer në vëmendjen e drejtësisë. Më 14 tetor, Valon Aliu, i dënuar me 24 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Ferizaj, doli para Gjykatës së Apelit, ku rasti po shqyrtohet në shkallën e dytë.
Më 3 prill 2026, Gjykata Themelore në Ferizaj e kishte shpallur Aliun fajtor, duke i shqiptuar dënim prej 24 vjetësh burgim për vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
Vendimi kishte shkaktuar pakënaqësi te familjarët e viktimës, të cilët kishin vlerësuar se dënimi nuk përputhej me peshën e krimit.
Drilon Cokli ka theksuar se pas kësaj ngjarjeje jeta e familjes nuk është më si më parë, duke kërkuar më shumë kujdes dhe përgjegjësi nga institucionet për veprimet e tyre.
“Jeta është kthyer përmbys, nuk është më si përpara. Por sot duhet të qëndrojmë që institucionet të kenë pak më shumë kujdes në gjërat dhe veprimet që i kanë bërë”, ka thënë ai.
Erona Cokli u vra në moshën 21-vjeçare, duke lënë pas një djalë të vogël. Vrasja e saj ndodhi brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, ndërsa gjatë ngjarjes u plagos edhe vëllai i saj, Driloni.
Rasti vazhdon të jetë në shqyrtim në Gjykatën e Apelit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post “Ajo krismë e vulosi vrasjen e saj” – Vëllai i Erona Coklit rrëfen për Sinjalin momentet e tmerrit appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali