
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të udhëtojë këtë fundjavë drejt Uzbekistanit për bisedime me pesë vende të Azisë Qendrore, ndërsa administrata Trump synon të forcojë lidhjet tregtare dhe të zgjerojë praninë strategjike të Uashingtonit në rajon.
Rubio do të marrë pjesë në një takim ministror që do të mbahet nga 17 deri më 20 tetor në Samarkand, në kuadër të formatit C5+1, që bashkon Shtetet e Bashkuara me Kazakistanin, Kirgizinë, Taxhikistanin, Turkmeninë dhe Uzbekistanin. Ai do të zhvillojë, gjithashtu, takime dypalëshe me zyrtarë të lartë nga të pesë vendet dhe do të kryesojë një delegacion tregtar me më shumë se 200 drejtues biznesesh, njoftoi Departamenti i Shtetit më 13 tetor.
Vizita vjen në një kohë kur SHBA-ja po tregon interes në rritje për mineralet kritike, burimet energjetike dhe korridoret e transportit të Azisë Qendrore, ndërsa qeveritë e rajonit kërkojnë të diversifikojnë partneritetet dhe të ulin varësinë nga fuqitë tradicionale.
“Ky angazhim i paprecedentë mes SHBA-së dhe vendeve të Azisë Qendrore, si dhe kjo vizitë, do të përbënin hapin e parë drejt këtij qëllimi”, tha Ken Moriyasu, studiues i lartë në Institutin Hudson, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë (REL).
“Vendet e Azisë Qendrore nuk janë edhe aq të kënaqura me idenë e zëvendësimit të dominimit rus me dominimin kinez”, tha ai, duke shpjeguar pse kryeqytetet e rajonit po afrohen me Uashingtonin dhe partnerët evropianë.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka larguar vëmendjen dhe burimet e Moskës nga rajoni, duke krijuar mundësi për fuqitë e tjera që të thellojnë lidhjet me Azinë Qendrore.
Ndërkohë, Kina e ka zgjeruar praninë e saj në rajon përmes tregtisë, investimeve në infrastrukturë dhe nismës së saj kryesore, Brezi dhe Rruga.
“Administrata Trump është e përqendruar kryesisht te interesat e saj, te interesat e Amerikës dhe te konkurrenca globale me Kinën”, tha Ariel Cohen, studiues i lartë jorezident në Këshillin Atlantik dhe drejtor menaxhues i Programit për Energjinë, Rritjen dhe Sigurinë në Qendrën Ndërkombëtare për Tatimet dhe Investimet.
“Është e qartë se Kina është partneri dominues ekonomik, ndërsa Rusia vazhdon të ofrojë shumë lidhje në fushën e sigurisë. Por, Shtetet e Bashkuara nuk po tërhiqen dhe nuk po e braktisin këtë hapësirë”, shtoi Cohen.
Forcimi i lidhjeve ekonomike dhe diplomatike mund ta ndihmojë Uashingtonin të sigurojë zinxhirët e furnizimit, të zgjerojë mundësitë tregtare dhe të parandalojë që një fuqi e vetme të fitojë ndikim dërrmues në të gjithë rajonin.
Delegacioni i planifikuar, me më shumë se 200 drejtues biznesesh, nënvizon rëndësinë që administrata i kushton diplomacisë tregtare, thanë analistët. Sipas tyre, Uashingtoni shpreson që angazhimi më i ngushtë të sjellë investime dhe marrëveshje biznesi në një sërë sektorësh.
“Ne tashmë kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve tona me vendet e Azisë Qendrore dhe duhet të vazhdojmë t’i zgjerojmë këto partneritete duke hequr kufizimet e vjetruara tregtare të epokës sovjetike, të njohura si Jackson-Vanik”, tha për REL-in senatori republikan Steve Daines.
Ai iu referua legjislacionit që ua mohon statusin e marrëdhënieve normale tregtare disa ekonomive aktuale dhe të dikurshme jotregtare, nëse ato nuk përmbushin disa kërkesa lidhur me lirinë e emigrimit.
Mineralet kritike janë një pjesë e rëndësishme e kësaj tabloje, por vlera strategjike e Azisë Qendrore buron edhe nga pozita e saj mes Kinës, Rusisë, Azisë Jugore dhe Evropës. Rrugët e transportit që lidhin rajonin me tregjet ndërkombëtare kanë fituar rëndësi, ndërsa qeveritë kërkojnë alternativa ndaj itinerareve që kalojnë përmes Rusisë.
Moriyasu përmendi Korridorin e Mesëm, i cili lidh Azinë Qendrore me Evropën përmes Detit Kaspik dhe Kaukazit Jugor, si pjesë të mundësive më të gjera strategjike. Një prani më e fuqishme e kompanive amerikane përgjatë këtyre rrugëve mund të ndihmojë në krijimin e interesave të qëndrueshme ekonomike amerikane në rajon.
Suksesi i vizitës do të varet nga fakti nëse vrulli diplomatik do të përkthehet në angazhime konkrete për investime dhe bashkëpunim të vazhdueshëm tregtar, apo nëse do të mbetet thjesht një takim i profilit të lartë.
Azia Qendrore në qendër të vëmendjes
Organizimi i takimit i jep Uzbekistanit mundësinë të forcojë marrëdhëniet me Uashingtonin dhe njëkohësisht të rrisë profilin e tij si qendër diplomatike rajonale.
Presidenti Shavkat Mirziyoyev ka kërkuar vazhdimisht afrimin me Shtetet e Bashkuara. Sipas informacionit paraprak të dhënë për këtë raport, Uashingtoni ka ftuar Mirziyoyevin dhe presidentin e Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, të marrin pjesë në samitin e G20-s, që do të mbahet në Majami në dhjetor.
Angazhimi diplomatik ka nxitur spekulime për një vizitë të mundshme të presidentit Donald Trump në Azinë Qendrore. Një vizitë e tillë do të ishte e paprecedentë për një president në detyrë të SHBA-së dhe mund t’i siguronte Uashingtonit qasje më të qëndrueshme te udhëheqësit e rajonit.
Laura Linderman, studiuese e lartë në Këshillin Amerikan për Politikën e Jashtme dhe drejtoreshë e programeve në Institutin për Azinë Qendrore dhe Kaukazin, tha se pjesëmarrja e Rubios në takimin C5+1 përbënte tashmë një zhvillim pozitiv.
Ajo tha se zgjerimi i formatit për të përfshirë edhe Azerbajxhanin, duke krijuar një kuadër C6+1, mund ta bënte bashkëpunimin më ambicioz.
“Ngjarja do të konsiderohej një sukses edhe më i madh nëse SHBA-ja do ta zgjeronte formatin në C6+1 dhe do ta përfshinte Azerbajxhanin”, tha Linderman për REL-in.
Një drejtues i lartë në Wall Street, i cili po udhëton me delegacionin e Rubios drejt Samarkandit, tha se gjatë disa dekadave të punës me rajonin nuk kishte parë kurrë një interes kaq të madh nga bizneset amerikane. Ai foli në kushte anonimiteti, pasi nuk ishte i autorizuar të komunikonte me mediat.
“E dimë se ka lidhje të ngushta personale mes anëtarëve të administratës Trump dhe disa presidentëve të Azisë Qendrore. Por, interesi aktual për Uzbekistanin dhe vendet e tjera të rajonit shkon përtej këtyre marrëdhënieve. Ai është njëkohësisht personal dhe institucional”, i tha ai REL-it.
Sipas drejtuesit, interesimi në rritje i kompanive amerikane nxitet edhe nga intensifikimi i konkurrencës ekonomike me Kinën.
“Bizneset amerikane e kanë kuptuar se, nëse nuk i shtojnë aktivitetet e tyre në rajon, Kina së shpejti do ta përpijë gjithçka atje. Ato duan të konkurrojnë me Kinën në nivel global dhe pikërisht pranë saj, pasi rajoni ndodhet ngjitur me të”, tha ai.
Pas Uzbekistanit, Rubio do të udhëtojë drejt Mumbait dhe Jamnagarit, në Indi, për vizitën e tij të dytë zyrtare në këtë vend gjatë këtij viti. Ai pritet të takohet me zyrtarë qeveritarë dhe drejtues biznesesh për të diskutuar partneritetin strategjik SHBA-Indi, zhvillimet rajonale dhe globale, bashkëpunimin energjetik dhe investimet tregtare./REL/
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Rubio drejt Azisë Qendrore, ndërsa SHBA-ja synon rol më të madh në rajonin e dominuar nga Rusia dhe Kina appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali