AAK-ja propozon pension proporcional për kontributdhënësit|Video

AAK-ja propozon pension proporcional për kontributdhënësit|Video

Written by

in

Në një konferencë për media, Haxhiu ka bërë të ditur se propozimi i saj u dedikohet veçanërisht personave që kanë punuar dhe paguar kontribute para janarit të vitit 1999, por që për shkak të mungesës së disa viteve, muajve apo edhe ditëve nuk përfitojnë pensionin kontributpagues.

Ajo ka theksuar se bëhet fjalë për qytetarë me përvojë të gjatë pune, kontributet e të cilëve janë të dëshmuara, por që mbeten jashtë skemës aktuale për shkak të kritereve ligjore.

“Dikujt i mungojnë disa vite, dikujt disa muaj, por ka edhe që disave u mungojnë edhe disa ditë. Ka njerëz që kanë përvojë plot 44 vite”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj, këta qytetarë duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të marrin pension në përputhje me kontributin që kanë dhënë gjatë viteve të punës.

“Ai duhet të marrë një pension në përpjestim me kontributin që ka paguar”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka propozuar që në ligj të shtohet një dispozitë e re, e cila do të mundësonte pensionin kontributpagues proporcional për personat që nuk i plotësojnë kushtet e dy kategorive ekzistuese të pensioneve kontributpaguese.

“A me këtë propozim, ruhen skemat ekzistuese dhe të drejtat e atyre që përfitojnë sipas tyre. Së pari, ruhet pensioni kontributpagues i moshës. Ruhet pensioni parcial kontributpagues për personat e larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme. Propozojmë shtimin e nenit të ri, ku përmes tij, është mundësia për pension kontributpagues proporcional që kanë paguar kontribute, por nuk kualifikohen sipas dy dispozitave të mëparshme”, ka deklaruar ajo.

Duke shpjeguar mënyrën se si do të funksiononte propozimi, deputetja ka dhënë një shembull ilustrues, sipas të cilit pensioni do të llogaritej në bazë të viteve, muajve dhe ditëve të kontributeve të dëshmuara.

“Nëse pensioni i plotë kontributpagues i kategorisë përkatëse do të ishte 300 euro në muaj, këtë shumë e pjesëtojmë me 15. Rezultati është 20 euro pension mujor për çdo vit kontributesh”, ka shpjeguar Haxhiu.

Sipas shembullit të saj, një person me 14 vjet kontribute do të përfitonte 280 euro në muaj, ndërsa ai me 14 vjet e gjashtë muaj do të përfitonte 290 euro.

Ajo ka sqaruar se shuma prej 300 eurosh është vetëm shembull dhe se vlera reale do të përcaktohej varësisht nga pensioni në fuqi dhe periudha e kontributeve të dëshmuara.

Haxhiu ka insistuar që në përllogaritje të përfshihen edhe muajt dhe ditët e punës, në mënyrë që të mos anashkalohen qytetarët të cilëve u mungon një periudhë shumë e shkurtër për të arritur kriterin ligjor.

“Sepse, nëse po synojmë t’u japim zgjidhje edhe qytetarëve të cilëve u mungojnë vetëm pak ditë për ta plotësuar periudhën e kërkuar, duhet që çdo ditë e kontributeve të tyre të merret parasysh”, ka theksuar ajo.

Përmes kësaj nisme, sipas Haxhiut, do t’u jepej mundësia edhe personave që janë refuzuar më herët për pension, për shkak se nuk kanë arritur kriterin e kërkuar vetëm për disa ditë.

Në fund, deputetja u ka bërë thirrje grupeve parlamentare që ta mbështesin këtë propozim, duke vlerësuar se ai synon të adresojë një padrejtësi ndaj qytetarëve që kanë punuar dhe kanë kontribuuar, por që deri më tani nuk kanë arritur të përfitojnë pension kontributpagues.

Burimi: RTKLive