
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, ka folur për paraqitjet e fundit të Kombëtares së Kosovës, procesin e ndërrimit të gjeneratës, afrimet e mundshme të futbollistëve të rinj, largimet nga përfaqësuesja, raportet me Shqipërinë dhe çështjen e çmimeve të biletave për ndeshjet e Dardanëve.
Ademi ka thënë se nuk është plotësisht i kënaqur me rezultatet e Kosovës në ndeshjet e fundit, duke vlerësuar se ekipi mund të kishte bërë më shumë, por ka shprehur besimin se përfaqësuesja do të luftojë për pozitën e dytë.
Sipas tij, ndërrimi i gjeneratës po zhvillohet me luhatje jo shumë të mëdha, ndërsa FFK-ja është në bisedime me tre-katër futbollistë të tjerë që mund t’i bashkohen Kosovës.
Duke folur për rezultatet e fundit të Kosovës dhe ngarkesën e futbollistëve gjatë zhvillimit të katër ndeshjeve brenda një periudhe të shkurtër, Ademi ka thënë se ky ritëm paraqet sfidë si për lojtarët, ashtu edhe për organizimin e federatës.
Tani, puna e katër ndeshjeve të kombëtares ka qenë një intensitet të lartë. Edhe katër ndeshje të luhen për kaq pak ditë, është pak shumë për futbollistët, edhe për të gjitha kombëtaret, jo vetëm për neve që jemi kombëtare e vogël. Edhe për organizimin përmes federatës dhe të gjitha, është një sfidë e madhe dhe është dashur të kemi më shumë lojtarë. Kur ke intensitet është kaq i shpeshtë, mund të them që nuk jam i kënaqur me rezultatet, por nuk është që kemi dështuar në këtë rast. Mund të them që jemi në garë, jemi mirë. Krahas kualitetit që e kemi, kemi mundur të kemi fitore dhe të bëjmë një hap pak më të mirë. Gjithsesi, shpresoj dhe besoj që do të jemi në pozitën e dytë, sepse pozitën e parë e kemi të vështirë, ose mund të them që ndoshta është i paarritshëm në këtë rast, por prapë varet prej ekipeve”, tha Ademi.
Kryetari i FFK-së është shprehur i kënaqur me mënyrën se si po zhvillohet procesi i ndërrimit të gjeneratës në Kombëtaren e Kosovës.
Sipas tij, ky proces sjell sfida edhe për përfaqësueset më të mëdha, por Kosova po arrin ta përballojë pa luhatje të mëdha.
Ndërrimi i gjeneratës vërehet edhe te kombëtaret më të mëdha që ka sjellë pak lëvizje ose pasiguri derisa të koordinohet ose konsolidohet ekipit. Te ne, ndërrimi i gjeneratës po bëhet dhe, të them të drejtën, jam i lumtur dhe mendoj se po bëhet me jo shumë luhatje dhe ndoshta kjo ka ndodhur sepse kemi pasur vazhdimisht diçka të re”, theksoi Ademi.
Ademi ka bërë të ditur se FFK-ja është në bisedime me tre-katër futbollistë, të cilët mund të bëhen pjesë e Kombëtares së Kosovës.
Ai ka sqaruar se federata merret me pjesën organizative dhe marrëveshjet, ndërsa vendimi përfundimtar për përfshirjen e tyre i takon trajnerit dhe shtabit teknik.
Tani, kemi disa futbollistë me të cilët jemi në bisedime. Sigurisht që mund të jenë anëtarë të Kosovës, por ne e kryejmë vetëm atë pjesë që lidhet me organizimin dhe marrëveshjet me lojtarët apo me njerëzit që merren me këtë punë. Në fund vendos trajneri, sepse ne ia ofrojmë trajnerit dhe shtabit tonë dhe ata vendosin. Fjalën e fundit e kanë ata, ata cilët bisedojnë për anën profesionale, nëse lojtari do të luajë, nëse i duhet tani dhe nëse mund të luajë në këtë tani. Neve na intereson t’i mbyllim marrëveshjet dhe që lojtari të pranojë të luajë për Kosovën. Pastaj, në fushë është diçka tjetër. Sigurisht që jemi të interesuar. Ju e dini se tashmë i kemi disa futbollistë te Bayerni, jo vetëm Erblinin, por edhe disa të rinj të tjerë që do të jenë në kategoritë e tjera. Disa marrëveshje janë mbyllur për kategoritë tjera. Gjithsesi, jemi duke biseduar edhe me tre-katër futbollistë të tjerë, emrat e të cilëve nuk do t’i përmendja para se të mbyllen marrëveshjet, sepse nuk është etike. Besoj që do të ketë një ose dy fytyra të reja. Tani është faza e shtabit teknik të trajnerit”, bëri të ditur Ademi.
Duke komentuar largimet e disa futbollistëve nga Kombëtarja e Kosovës, Ademi ka thënë se këto janë pjesë normale të zhvillimeve në futboll.
Ai ka vlerësuar kontributin e secilit prej tyre, duke theksuar se emrat e futbollistëve që kanë ndihmuar në ndërtimin e përfaqësueses duhet të mbeten të shënuar në historinë e futbollit kosovar.
Janë çështje normale për mua. Secilit i dëshiroj sukses atyre që janë larguar dhe nuk janë më pjesë e kombëtares. Kontributi i tyre gjithmonë ka qenë i pashlyer. Dëshira ime ka qenë dhe është që të gjithë këta gladiatorë tanë dardanë, siç i quaj futbollistët e Republikës, që nga koha kur jemi krijuar si shtet dhe jemi pranuar si federatë në UEFA dhe FIFA, të shënohen me shkronja të arta në pjesën e futbollit të Kosovës që këta e kualifikuan Kosovën sepse kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që nga fillimi”, u shpreh Ademi.
Kreu i FFK-së ka folur edhe për raportet ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, në një kohë kur çështja e futbollistëve që mund të zgjedhin njërën nga dy përfaqësueset vazhdon të diskutohet.
Ademi ka mohuar se ekziston ndonjë problem mes dy federatave, duke theksuar se nuk ka vend për veprime prapa shpinës dhe se futbollistët shqiptarë duhet ta kenë Kosovën ose Shqipërinë si opsion kryesor.
Kjo çështje po trasohet dhe secili po e komenton siç dëshiron. Për mua është me rëndësi që futbollistët shqiptarë opsion kryesor ta kenë Kosovën ose Shqipërinë. Në këtë drejtim, nuk ka asgjë të keqe mes dy federatave dhe asnjëherë nuk është punuar diçka që mund të thuhet se është bërë prapa shpinës. Këto gjëra nuk ndodhin. Nuk kam qejf të flasin njerëzit kot ose ata që flasin me emocione dhe nuk janë kompetentë për këtë punë. Një rast ka qenë, për shembull, kur ka folur vetë Bajram Shala, menaxheri, i cili e ka thënë një fjalë që nuk i takon ajo fjalë ta thotë, nuk e di si i ka dalë nga goja, por ajo është krejtësisht gabim. Është tërhequr, por normalisht, për paraqitje të tilla nga Federata e Futbollit, të cilat nuk i shohim si të arsyeshme, pavarësisht ngjarjeve që ndodhin, ne duhet të kemi kujdes. Jemi dy shtete, por jemi vëllezër. Jemi një komb. Më kënaqet shpirti, pothuajse aq sa për Kosovën, kur fiton edhe Shqipëria. Dëshira ime më e madhe jetësore ka qenë që të dyja të shkonim së bashku në Kampionatin Botëror”, theksoi Ademi.
Një tjetër temë për të cilën ka folur Ademi është çështja e çmimeve të biletave për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës.
Ai e ka cilësuar të tepruar reagimin e krijuar rreth kësaj çështjeje, duke theksuar se e kupton gjendjen ekonomike të qytetarëve, por se, sipas tij, duhet të vlerësohet edhe rëndësia e përfaqësueses.
Unë mendoj që është e paarsyeshme gjithë ai pluhur që u bë rreth kësaj pune. E kuptoj shumë mirë gjendjen ekonomike, sepse jetoj këtu. Nuk jam prej ku me dit ku, nuk kam ardhur nga marsi, por vazhdimisht kam qenë në Kosovë. Kam kompani, punëtorë, familje dhe i dimë kushtet në të cilat jetojmë. Duhet ta kuptojmë një gjë: asnjëherë nuk ka ndodhur që biletat për një kombëtare të jenë më të lira se kaq, cilado qoftë ajo. Është një lloj degradimi i vetes nëse nuk e vlerëson veten. Kosova i ka pesë ndeshje në vit. Nëse secili tifoz, secili njeri, nuk e ka atë frymë që të japë 20 euro për pesë ndeshje, që i bie 100 euro në vit, atëherë nuk është se e duam futbollin. Por, nga tani e tutje, mund të them se do të ketë diçka tjetër. Çmimet sa të mundemi do ta mbajmë më poshtë, nuk e ndryshojmë, por pak ajnë edhe pjesët obligative sepse nëse kërkon të hysh dhe të marrësh përkrahje nga UEFA dhe FIFA, normalisht që ata kërkojnë edhe një pjesë të përkrahjes nga vendi ynë”, theksoi Ademi.
Kosova po vazhdon garën në Ligën e Kombeve, ndërsa FFK-ja po punon në përforcimin e përfaqësueses me futbollistë të rinj dhe në konsolidimin e ekipit për sfidat e ardhshme. Krahas rezultateve sportive, në fokus mbeten edhe raportet me Shqipërinë dhe organizimi i ndeshjeve të Dardanëve.