Udhëtimi ajror në SHBA po i kthehej gradualisht normalitetit të hënën, pas tri ditësh ndërprerjesh të mëdha të shkaktuara nga një ndalim i jashtëzakonshëm i ngritjes së avionëve, i vendosur nga autoritetet amerikane të aviacionit.
Gjatë fundjavës, pasagjerë të bllokuar u panë duke lëvizur nëpër aeroporte të mbushura me kaos, ndërsa shumë prej tyre qëndronin ulur në dysheme, në pritje të njoftimeve ose të rirezervimit të fluturimeve.
Ndalimi i ngritjeve, i vendosur të premten pasdite, ishte vetëm hera e dytë që një udhëzim i tillë zbatohej në nivel kombëtar në hapësirën ajrore të ngarkuar amerikane, që nga koha kur fluturimet u pezulluan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Administrata Trump fajësoi për ndërprerjet një përditësim të gabuar të pajisjeve të komunikimit të kontrollit të trafikut ajror.
Sipas platformës për përcjelljen e fluturimeve FlightAware, të hënën në mëngjes ishin anuluar më shumë se 250 fluturime që lidheshin me SHBA-në, përfshirë ato brenda vendit, drejt tij dhe nga SHBA-ja.
Kjo shënoi një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me të dielën, kur ishin anuluar më shumë se 2.300 fluturime. Po ashtu, të hënën ishin regjistruar vonesa në më shumë se 700 fluturime, ndërsa një ditë më parë numri i tyre kishte kaluar 10 mijë.
Administrata e presidentit Donald Trump u përpoq t’i qetësonte udhëtarët, ndërkohë që vazhdonin pyetjet se si një kaos i tillë mund të ndodhte në ekonominë më të madhe në botë, një vend që krenohet me përparimin e tij teknologjik.
Zyrtarët ia atribuuan ndërprerjet e mëdha të së premtes punimeve të pasuksesshme për përditësimin e kabllove të komunikimit të sistemit të kontrollit të trafikut ajror.
Pas disa ditësh heshtjeje të pazakontë lidhur me situatën, Trump reagoi të dielën, duke fajësuar paraardhësin e tij, Joe Biden.
Ai pretendoi se kishte trashëguar një sistem në gjendje të rëndë nga administrata Biden dhe tha se Kongresi duhet të miratojë fonde për modernizimin e sistemit të vjetruar amerikan të kontrollit të trafikut ajror.
– YouTube www.youtube.com
“Administrata Biden ishte një katastrofë për FAA-në”, deklaroi Trump, duke iu referuar Administratës Federale të Aviacionit.
“Gjithçka që prekën përfundoi keq. U shpenzuan shumë para pa mençuri, duke e bërë një sistem të vjetër dhe të dëmtuar edhe më keq se më parë”, shtoi ai.
Kreu i FAA-së, Bryan Bedford, kishte deklaruar të shtunën se udhëtimet ajrore për miliona amerikanë të bllokuar në aeroporte do t’i ktheheshin normalitetit deri në përfundim të ditës së diel.
Megjithatë, sekretari i Transportit, Sean Duffy, paralajmëroi se do të nevojitej më shumë kohë që avionët, ekuipazhet dhe udhëtarët të riktheheshin në pozicionet e tyre të planifikuara.
“Do të shohim një rikthim gradual të normalitetit gjatë ditës së sotme, por gjithçka do të jetë plotësisht normale, me gjasë, nesër”, tha Duffy në një intervistë për ABC News.
Ai shpjegoi se për shkak të ndërprerjeve të së premtes, shumë avionë dhe ekuipazhe kishin mbetur jashtë pozicioneve të tyre të zakonshme, duke bërë që rikthimi në funksionimin e rregullt të kërkonte kohë.
Duffy hodhi poshtë gjithashtu thirrjet për dorëheqjen e tij për shkak të kaosit në transportin ajror. Ai këmbënguli se kishte trashëguar një infrastrukturë jashtëzakonisht të vjetruar të kontrollit të trafikut ajror, përfshirë pajisje radarike që datojnë nga vitet 1960.
“Kur kryejmë punime dhe diçka shkon keq, natyrisht që unë jam sekretari përgjegjës. Por duhet të pranoj edhe gjendjen e sistemit që më është dorëzuar”, tha ai në një intervistë për CNN.
Ndërprerjet jo vetëm që shkaktuan kaos në udhëtimet ajrore në SHBA, por ngritën edhe shqetësime serioze për gjendjen e infrastrukturës së vjetruar të vendit.
Duffy ka kërkuar 50 miliardë dollarë (45 miliardë euro) për përmirësimin dhe modernizimin e sistemit të kontrollit të trafikut ajror, duke i bërë thirrje Kongresit që të reagojë ndaj situatës.
Demokratët reaguan duke theksuar se Kongresi, i cili prej dy vitesh kontrollohet nga republikanët e Trumpit, tashmë kishte pasur mundësinë t’i miratonte fondet e nevojshme. /Telegrafi/