AGK: Raporti i BE-së konfirmon presionet e Qeverisë ndaj mediave, Kurti kritikohet për gjuhën ndaj gazetarëve

AGK: Raporti i BE-së konfirmon presionet e Qeverisë ndaj mediave, Kurti kritikohet për gjuhën ndaj gazetarëve

Written by

in

AGK: Raporti i BE-së konfirmon presionet e Qeverisë ndaj mediave, Kurti kritikohet për gjuhën ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve, ka reaguar lidhur me raportin e Komisioni Evropian, duke thënë se ky raport, ka vërtetuar presionet e qeverisë ndaj gazetarëve dhe mediave, duke theksuar se aty deklarohet se, shqetësuese vazhdon të mbetet mospërparimi në lirinë e medias dhe shprehjes në Kosovë.

Në komunikatën e AGK’së, thuhet edhe se, raporti e identifikon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si një nga zyrtarët e lartë që përdor gjuhë të ashpër në raport me mediat dhe gazetarët dhe bën thirrje për ndaljen e një retorike të tillë.

Komunikata e plotë:

Raporti për Vendin i Komisionit Evropian vërteton presionet e Qeverisë ndaj gazetarëve dhe mediave

Në raportin vjetor të Komisionit Evropian për zgjerimin, shqetësuese vazhdon të mbetet mospërparimi në lirinë e medias dhe shprehjes në Kosovë. Raporti e identifikon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si një nga zyrtarët e lartë që përdor gjuhë të ashpër në raport me mediat dhe gazetarët dhe bën thirrje për ndaljen e një retorike të tillë.

“Gjatë periudhës së raportimit janë regjistruar 35 raste të sulmeve fizike dhe verbale apo të kërcënimeve ndaj gazetarëve, një rënie e konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak. Sulmet përfshinin pengimin e punës së gazetarëve nga zyrtarët e sigurisë, si dhe akuzat dhe gjuhën e ashpër të përdorur nga zyrtarë të lartë qeveritarë (përfshirë Kryeministrin) ndaj gazetarëve dhe mediave. Zyrtarët publikë duhet të përmbahen nga përdorimi i retorikës që shënjestron ose diskrediton gazetarët, ndërsa sulmet dhe frikësimi i tyre duhet të dënohen. Një kameraman u arrestua dhe u mbajt për një kohë të shkurtër në paraburgim nga Policia e Kosovës, ndërsa të paktën katër persona u ndaluan për kërcënimin e gazetarëve. Rastet e frikësimit përfshinin gjithashtu ngacmimin në internet dhe shpërndarjen e të dhënave personale”, thuhet në një pjesë të raportit. Në raport bëhet thirrje gjithashtu për miratimin e një ligji të ri për Radio Televizionin e Kosovës dhe atij të KPM-së, kurse përshëndetet miratimi i strategjisë së re të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që u jep prioritet trajtimit të rasteve të gazetarëve.

AGK-ja e sheh këtë raport si pasqyrim real të ambientit të rëndë të të bërit gazetari në Kosovë dhe bën sërish thirrje për ndalimin e sulmeve në drejtim të gazetarëve dhe respektimin e punës së tyre në interes të publikut.

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.

Gjatë vitit të ardhshëm, Kosova duhet të:

→ Vazhdojë përmirësimin e kapaciteteve të autoriteteve të prokurorisë, gjyqësorit dhe organeve të zbatimit të ligjit për trajtimin e rasteve që lidhen me dhunën dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të mediave; → Hartojë protokolle dhe organizojë trajnime për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, duke përfshirë mekanizmat e paralajmërimit të hershëm dhe reagimit të shpejtë; të nisë një dialog të strukturuar me përfaqësuesit e mediave; të përmirësojë kushtet e punës së gazetarëve dhe punonjësve të mediave, si dhe të forcojë raportimin profesional;

→ Miratojë një Ligj të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave, plotësisht në përputhje me legjislacionin e BE-së (acquis të BE-së) dhe standardet evropiane; të rishikojë Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës, me qëllim sigurimin e financimit të qëndrueshëm, si dhe të sigurojë financim në përputhje me ligjin aktual, duke ruajtur pavarësinë e transmetuesit publik.

Burimi: Insajderi