Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar sërish lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë, duke dhënë detaje për veprimet e ndërmarra pas kërkesës së saj për ndihmë dhe trajtimin e rasteve të mëparshme.
Në një njoftim të publikuar të hënën, Prokuroria ka bërë të ditur se Kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj, pas pranimit të një kërkese nga Zekaj më 22 tetor, e kishte adresuar çështjen te institucionet përkatëse dhe kishte iniciuar rast për hetimin e pretendimeve për veprime ose mosveprime të mundshme të zyrtarëve.
“Pas pranimit të kërkesës, Kryeprokurorja ka vlerësuar rrethanat e paraqitura dhe e ka adresuar çështjen te institucionet përkatëse”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, kërkesa u ishte përcjellë Policisë së Kosovës, Gjykatës Themelore në Pejë, Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Qendrës për Punë Sociale dhe Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, me kërkesë për vlerësim urgjent të situatës dhe ndërmarrjen e veprimeve brenda kompetencave të tyre.
Prokuroria ka bërë të ditur se më 16 tetor, Gjykata kishte nxjerrë vendim përmes të cilit ish-bashkëshorti i Zekajt ishte urdhëruar ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për gjashtë muaj.
Sipas njoftimit, më 22 tetor, kur Zekaj kishte kërkuar zbatimin e vendimit gjyqësor, Policia e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rastin. Pas vlerësimit të rrezikut, prokurori kishte konsideruar se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund të rrezikonte jetën dhe sigurinë e saj.
“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria bën të ditur se Zekaj kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga Policia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët. Për këtë ishte paraparë që një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë gjatë kthimit të saj.
Pak minuta pas kthimit në shtëpi, u njoftua për vrasjen
Sipas kronologjisë së paraqitur nga Prokuroria, më 25 tetor, në orën 19:48, Policia e kishte kontaktuar prokurorin kujdestar lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje në shtëpinë e Zekajt.
Në stacionin policor ishin shoqëruar Zekaj dhe ish-bashkëshorti i saj, J.S., i cili ishte ndaluar për 48 orë. Gjatë trajtimit të rastit, viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.
“Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka bërë të ditur se pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se Zekaj ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar për rastin.
Policia e Kosovës, sipas njoftimit, është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, i cili ende nuk është arrestuar.
Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit
Në njoftim bëhet e ditur gjithashtu se më 23 tetor, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të së ndjerës, J.S. për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.
Ndërkohë, lidhur me pretendimet e paraqitura në kërkesën e saj, Prokuroria ka theksuar se është iniciuar rast për të vlerësuar nëse veprimet ose mosveprimet e personave zyrtarë përmbushin elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria Themelore në Pejë ka shprehur keqardhje për vrasjen dhe ka theksuar nevojën për zbardhjen e plotë të rastit.
“Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/