Aktakuzë ndaj një shtetasi të Maqedonisë së Veriut për mbi 6 kg marihuanë

Aktakuzë ndaj një shtetasi të Maqedonisë së Veriut për mbi 6 kg marihuanë

Written by

in

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri me inicialet E.A. ndodhet në paraburgim që nga 30 janari 2026.

Aktakuza e ngarkon atë me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas Prokurorisë, më 30 janar, rreth orës 20:30, në afërsi të daljes së autostradës në fshatin Doganaj, Policia ndaloi veturën e të pandehurit, ku gjatë kontrollit në bagazh gjeti një çantë dhe një qese najloni me marihuanë.

Substanca narkotike ishte e ndarë në 20 paketime, me peshë të përgjithshme prej 6 kilogramësh e 121.08 gramësh, dhe u sekuestrua nga Policia.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se kishte transportuar substancën narkotike në bazë të udhëzimeve të dy personave të tjerë, me inicialet M.Q. dhe A.R.

Prokuroria pretendon se çanta dhe qesja me marihuanë ishin vendosur në bagazhin e veturës së tij nga persona të tjerë, të cilët më pas e kishin përcjellë deri në autostradën në drejtim të Hanit të Elezit.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Ferizaj i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Burimi: RTKLive