
Rastet e prekura nga fruthi në Kosovë kanë shënuar një rritje të ndjeshme, me një hov të veçantë gjatë muajit të fundit. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), të cilave u referohet Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, nga muaji prill deri në fillim të nëntorit të këtij viti janë regjistruar rreth 300 raste në nivel vendi.
Shqetësimi kryesor i bluzave të bardha mbetet refuzimi ose vonesa e vaksinimit. Shefja e Urgjencës në QKMF-në e Prizrenit, Drita Qollaku, ka bërë të ditur se pjesa dërrmuese e të prekurve nuk e kanë marrë vaksinën mbrojtëse.
“Mbi 90 për qind e këtyre rasteve, sipas IKSHPK-së, i përkasin grupeve të pavaksinuara. Kjo tregon qartë rëndësinë e vaksinimit kundër fruthit”, ka deklaruar Qollaku.
Shkalla e lartë e infektimit dhe rreziku i komplikimeve
Mjekët paralajmërojnë se fruthi është jashtëzakonisht ngjitës, pasi vetëm një person i infektuar mund ta bartë virusin te deri në nëntë persona të tjerë. Përhapja ndodh lehtësisht katër ditë para dhe katër ditë pas shfaqjes së shenjave të para të skuqjes në lëkurë.
Përveç transmetimit të shpejtë, mjekja Qollaku tërheq vërejtjen për pasojat e rënda që mund të lërë ky virus në organizëm dhe gabimet që duhen shmangur gjatë trajtimit.
“Antibiotikët duhet të shmangen në trajtimin e fruthit, përveç rasteve kur paraqiten infeksione bakteriale dytësore. Fruthi e dobëson imunitetin dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, deri te encefaliti”, ka shtuar ajo.
Qytetarët bëjnë thirrje: Mos bini pre e bestytnive, vaksinoni fëmijët
Situata me fruthin — e cila po prek edhe vendet e rajonit — ka mobilizuar edhe vetë prindërit, të cilët apelojnë për respektimin e kalendarit të rregullt të vaksinimit.
Drilon Gashi nga Prizreni tregon se, pavarësisht hezitimeve fillestare të ndikuara nga thashethemet, ka vendosur t’i vaksinojë fëmijët e tij.
“Kemi pasur pak frikë, por është diçka që duhet të bëhet. Ne jemi popull që ndonjëherë besojmë në bestytni dhe histori të ndryshme, por vaksinimi duhet të bëhet patjetër. Pas vaksinimit nuk kemi pasur asnjë problem”, ka përfunduar Gashi.
Burimi: Sinjali