Alarm në sportin botëror, 10 milionë fëmijë dyshohet se përdorin doping

Alarm në sportin botëror, 10 milionë fëmijë dyshohet se përdorin doping

Written by

in

Një hulumtim gjashtëvjeçar i televizionit publik gjerman ARD ka nxjerrë në pah një realitet shqetësues në sportin botëror. Sipas hulimtimit, rreth 10 milionë fëmijë në mbarë botën dyshohet se përdorin substanca dopingu për të rritur performancën sportive.

Sipas të dhënave të publikuara nga ARD, rreth 5 deri në 6 për qind e fëmijëve që merren me sport garues mund të jenë të përfshirë në këtë praktikë. Në shumë raste, ata ekspozohen ndaj substancave të ndaluara nën presionin e trajnerëve, prindërve dhe personave të tjerë që kërkojnë rezultate dhe medalje.

Hulumtimi, i realizuar gjatë gjashtë viteve në më shumë se 50 shtete dhe në 25 sporte të ndryshme, ngre shqetësime serioze për mbrojtjen e shëndetit dhe të drejtave të fëmijëve në sport.

Në mesin e substancave të përdorura përmenden steroidet anabolike dhe hormoni i rritjes. Madje, sipas ekspertëve të përfshirë në hulumtim, disa fëmijëve u jepen pilula që paraqiten si vitamina ose suplemente të padëmshme, pa u treguar për përmbajtjen e tyre reale.

Një tjetër shqetësim është fakti se vetëm rreth 100 fëmijë në vit rezultojnë pozitivë në testet zyrtare të dopingut, një shifër që ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e kontrolleve dhe përmasat reale të fenomenit.

Ekspertët paralajmërojnë se pasojat mund të jenë afatgjata, duke përfshirë dëmtime të shëndetit fizik dhe zhvillimit të fëmijëve.

Ky hulumtim rikthen në vëmendje një pyetje thelbësore: deri ku mund të shkojë gara për medalje dhe sukses, kur në mes është shëndeti i fëmijëve?

Sporti duhet të jetë hapësirë për zhvillim, edukim dhe shëndet, jo një mjedis ku fëmijët sakrifikojnë të ardhmen e tyre për rezultate sportive.

Burimi: RTKLive