
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës u ka thënë kadetëve të rinj se me përfundimin e këtij kapitulli po marrin përsipër një nga detyrat më të rëndësishme në shërbim të vendit, mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve, jetës dhe ligjit.
“Këtë ditë do ta mbani mend gjatë, ngase këtë po e mbyllni një kapitull të rëndësishëm të jetës suaj dhe filloni një kapitull tjetër, për të marrë përsipër një nga detyrat më të rëndësishme në shërbim të Republikës së Kosovës: të kujdeseni për sigurinë e qytetarëve të Republikës tonë, të mbroni jetën e tyre, të drejtat e tyre dhe ligjin që na bën të gjithëve të barabartë. Ju po hyni në një institucion që ka një vend të veçantë në historinë tonë të re. Policia e Kosovës u themelua në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, kur vendi ynë po niste të ndërtonte institucionet e veta”, tha Haxhiu.
Haxhiu ka theksuar se guximi i një polici nuk dëshmohet vetëm në përballje me rrezikun, por edhe në zbatimin e drejtë të ligjit, pa dallim.
“Por, të nderuar pranishëm, guximi i një polici nuk dëshmohet vetëm në përballje me rrezikun. Guxim është edhe të veprosh drejt kur është më e vështirë të hashët, të mos e shfajësosh pushtetin që tjetër uniforma, të mbrosh të dobëtin edhe kur përballë ke një të fuqishëm, të mbrosh ligjin edhe kur shkelja e tij vjen nga dikush që e njeh. Sepse autoriteti i policit buron nga ligji, ndërsa dinjiteti i tij fitohet me sjellje dhe po ashtu edhe me vepra. Të dashur kadetë, në mesin tuaj sot janë 118 vajza dhe gra që kanë zgjedhur t’i shërbejnë vendit përmes Policisë së Kosovës”, shtoi ajo.
Haxhiu ka përmendur edhe rëndësinë e rolit të grave në Policinë e Kosovës, duke bërë të ditur se në këtë gjeneratë janë 118 vajza dhe gra.
Ajo ka kërkuar nga policët që rastet e dhunës ndaj grave të trajtohen me seriozitet dhe që institucionet të marrin masa në kohë për mbrojtjen e tyre.
“Prania e më shumë grave në institucionet e sigurisë është një zhvillim i rëndësishëm për vendin tonë, por derisa gjithnjë e më shumë gra po marrin përgjegjësi për sigurinë e të tjerëve, shumë gra të tjera vazhdojnë të jetojnë në kërcënimin e dhunës, madje fatkeqësisht edhe brenda shtëpive të tyre. Për shumë prej tyre, vendimi për ta denoncuar dhunën vjen pas një historie të gjatë kërcënimesh, kontrolli, por po ashtu edhe frike. Ato e dinë se denoncimi mund t’i ekspozojë ndaj një rreziku edhe më të madh. Prandaj, kur një grua u drejtohet institucioneve, rreziku duhet vlerësuar me seriozitet dhe masat për mbrojtjen e saj duhen marrë me kohë. Nuk mund të pranojmë që dhuna ndaj grave trajtohet si një çështje private dhe si një mosmarrëveshje familjare, apo që paragjykimet patriarkale ndikojnë në vendimet e tyre që kanë për detyrë t’i mbrojnë. Kjo mendësi është në kundërshtim me detyrën e policit dhe me përgjegjësinë që shteti ka për mbrojtjen e jetës, andaj nuk duhet të zërë vend në institucionet e Republikës së Kosovës. Të nderuar pranishëm, Republika e Kosovës ka nevojë për një polici të fuqishme, profesionale dhe të pajisur me mjetet e nevojshme për t’ju përgjigjur sfidave të kohës”, potencoi Haxhiu.
Burimi: Insajderi