Qytetarët që kanë paguar kontribute pensionale para 1 janarit 1999, por që nuk i kanë plotësuar vitet e nevojshme për të përfituar pension kontributpagues, mund të kenë një mundësi të re për të marrë pension.
Aleanca ka prezantuar një propozim për ndryshimin e ligjit, përmes të cilit synon që pensioni të llogaritet në bazë të periudhës së kontributeve të paguara, duke përfshirë edhe rastet kur qytetarëve u mungojnë vetëm disa muaj apo ditë për të përmbushur kriteret.
Propozimi është prezantuar nga deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e cila bëri të ditur se synohet shtimi i nenit të ri 8/B, përmes të cilit pensioni do të llogaritej në përpjesëtim me vitet, muajt dhe ditët e kontributeve të paguara.
Sipas Haxhiut, kjo nismë synon të adresojë rastet e qytetarëve që kanë vite pune të dëshmuara, por nuk kualifikohen për pension kontributpagues për shkak se u mungojnë disa muaj apo edhe ditë për të plotësuar periudhën e nevojshme.
“Një person që ka paguar kontribute, por nuk e plotëson periudhën për pension sipas kushteve aktuale, duhet të ketë mundësi të marrë pension në përpjesëtim me kontributet që i ka paguar”, deklaroi Haxhiu.
Ajo theksoi se propozimi nuk cenon skemat ekzistuese të pensionit kontributpagues të moshës dhe pensionit parcial kontributpagues për personat e larguar nga puna si pasojë e masave të dhunshme.
Pensioni i ri proporcional do të shqyrtohej vetëm në rastet kur qytetarët nuk i plotësojnë kushtet për të përfituar nga këto dy skema.
Për të ilustruar mënyrën e llogaritjes, Haxhiu mori si shembull një pension prej 300 eurosh, të ndarë në 15 vite kontribute. Sipas kësaj formule, për çdo vit kontributesh do të llogariteshin 20 euro pension mujor. Kështu, një qytetar me 14 vite kontribute do të përfitonte 280 euro, ndërsa një tjetër me 14 vite e gjashtë muaj do të merrte 290 euro në muaj.
Deputetja sqaroi se kjo shumë është vetëm ilustrim dhe se pensioni real do të përcaktohej në bazë të shumës në fuqi dhe periudhës së kontributeve të dëshmuara.
Propozimi parashikon gjithashtu që të drejtë aplikimi të kenë edhe qytetarët të cilëve u janë refuzuar më herët kërkesat për pension për shkak të periudhës së pamjaftueshme të kontributeve. Dokumentet që ndodhen tashmë në dosjet e administratës do të mund të përdoren pa qenë nevoja që qytetarët t’i dorëzojnë sërish.
“Qytetarët nuk duhet të detyrohen t’i dorëzojnë përsëri dokumentet që administrata i ka”, theksoi Haxhiu.
Ajo bëri të ditur se zbatimi i kësaj nisme do të kërkojë vlerësimin e numrit të përfituesve potencialë dhe të kostos financiare për buxhetin e shtetit.
Projektligji pritet t’i nënshtrohet shqyrtimit dhe procedurave përkatëse në Kuvend, ndërsa Haxhiu u bëri thirrje grupeve parlamentare dhe institucioneve përgjegjëse që të kontribuojnë në finalizimin e propozimit. /Telegrafi/