Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka shpërndarë dy postime të ministrit të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, të publikuara gjatë vizitës së tij të sotme në Kosovë.
Në postimin e parë, Cassis ka bërë të ditur se pas arritjes në Prishtinë është pritur nga presidentja Justina Shiroka Pula dhe ka takuar kryeministrin Albin Kurti.
Ai ka shkruar se gjatë takimeve kanë diskutuar për marrëdhëniet e afërta mes dy vendeve, sfidat rajonale dhe kryesimin zviceran të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), shkruan Telegrafi.
“Ne i kushtojmë rëndësi të madhe operacioneve të OSBE-së në terren në gjithë Ballkanin Perëndimor. Stabiliteti dhe prosperiteti në rajon janë kyç”, ka shkruar Cassis.
Ndërkaq, në postimin e dytë, ministri zviceran ka ndarë detaje nga takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, të cilin e ka cilësuar si një shkëmbim përmbajtjesor.
Sipas Cassis, në këtë takim është diskutuar për mundësitë e forcimit të lidhjeve ekonomike mes Zvicrës dhe Kosovës përmes marrëveshjes së re EFTA, si dhe për marrëdhëniet e të dyja vendeve me Bashkimin Evropian dhe sfidat aktuale gjeopolitike.
Në të njëjtin postim, Cassis ka bërë të ditur se ka marrë pjesë edhe në përurimin e objektit të ri të Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë./Telegrafi/