Raportimet e fundit nga mediat serbe dhe rajonale kanë ngritur pikëpyetje për vendndodhjen e Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit, dy emra të njohur për drejtësinë dhe të përfolur për lidhjet e tyre me strukturat politike e kriminale në Serbi.
Përderisa për Radoiçiqin ish-inspektori i BIA-s, Milan Zvezdanoviq, pretendon se ka shkuar në Rusi, për Veselinoviqin raportimet e fundit flasin për një udhëtim nga Sarajeva drejt Stambollit, e nga aty në Rusi.
Ndërkohë, rasti i Radoiçiqit bëhet edhe më i ndjeshëm për shkak të masave të sigurisë të vendosura nga Gjykata e Lartë në Beograd. Atij i është ndaluar largimi nga territori i Serbisë pa lejen e gjykatës, i është konfiskuar përkohësisht pasaporta dhe është obliguar të paraqitet në polici rregullisht në datat 1 dhe 15 të muajit.
Megjithatë, pas raportimeve për largimin e tij, Gjykata e Lartë ka konfirmuar për mediat serbe se Radoiçiq ishte paraqitur në stacionin policor më 1 nëntor, ndërsa masat ndaj tij vazhdojnë të jenë në fuqi.
Analistët në Kosovë thonë se kjo është vetëm një retorikë e Serbisë për të fshehur kriminelët dhe për të mos ia dorëzuar ata drejtësisë.
“Serbia din si ti fsheh kriminelet e saj sepse di ti përdor në momentet kur atyre iu duhen, kështu ka vepru më herë edhe me Ratko Mlladiq dhe me Radovan Karagjiq, pra një kohë i ka fshehur i ka ruajtur dhe i ka ekspozu kur ka qenë e nevojshme, kështu besoj se do të veproj edhe tash, i ruansepse i ka përdor dhe janë pjesë e strukturës shtetërore, veprimet e tyre nuk kane qenë krye në vete, nuk janë të grupeve terroriste por janë veprime të cilat janë udhëheq nga politika dhe nga presidenti i Serbisë”, tha për RTK, Dorajet Imeri, analist.
Ndërkaq, Arben Fetoshi drejtor i organizatës OCTOPUS thotë se zhvillimet e fundit mund të çojnë drejt dy skenarëve.
“Informacionet që ndërlidhen me skenar me ikjen eventuale na bën të kuptojmë që mund të kemi para vetës dy situata, e para ose do të kemi veprim të institucioneve të drejtësisë me qëllim që ti nxjerr para drejtësisë Radojqiqin dhe të tjerët për sulmin në Banjskë sipas kërkesave ndërkombëtare ose do të kemi ikje të këtyre dy individëve në Rusi apo ndonjë vend tjetër ku mund të sigurojnë strehë”, theksoi ai.
Avokati nga Beogradi, Çedomir Stojkoviq, ka deklaruar për RTK-në se largimi i tyre është pasojë e bashkëpunimit të shërbimeve të inteligjencës serbe dhe ruse, duke pretenduar se të dy po kërkojnë mbrojtje në Rusi.
Ndërkohë, si Kosova, edhe bashkësia ndërkombëtare kanë kërkuar vazhdimisht që Milan Radoiçiq të dalë para drejtësisë për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë, në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Megjithatë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, Beogradi ende nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për dorëzimin e tij para drejtësisë në Kosovë.
Burimi: RTKLive
