
Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së Faruk Bejlës, duke lënë në fuqi vendimin për ekstradimin e tij në Maqedoninë e Veriut, ku kërkohet nën dyshimet për vrasje dhe bashkim kriminal.
Me aktvendimin e 12 tetorit 2026, të publikuar më 20 tetor, kolegji i Departamentit Special të Apelit e ka vlerësuar si të pabazuar ankesën e avokatit Alban Arifi. Si rrjedhojë, është konfirmuar vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i 25 shtatorit, përmes të cilit ishte aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për lejimin e ekstradimit, raporton Insajderi.
Bejla, shtetas i Maqedonisë së Veriut, rreth 50-vjeçar, kërkohet nga autoritetet e këtij shteti për tri vepra penale të vrasjes së rëndë dhe bashkim kriminal.
Sipas dokumentacionit të autoriteteve maqedonase, ai dyshohet për bashkim kriminal, si dhe për tri raste të vrasjes, të kryera në bashkëkryerje.
Gjatë procedurës, mbrojtja e Bejlës kishte kundërshtuar ekstradimin, duke pretenduar se ekziston rreziku që ai të përballet me torturë, trajtim mizor apo burgim të përjetshëm në Maqedoninë e Veriut.
Avokati Alban Arifi kishte argumentuar gjithashtu se nuk kishte prova konkrete që e lidhin klientin e tij me veprat për të cilat kërkohet dhe kishte kërkuar informacione shtesë nga autoritetet maqedonase. Në mesin e argumenteve të mbrojtjes ishte edhe kërkesa e Bejlës për fitimin e shtetësisë së Kosovës, për shkak të prejardhjes familjare.
Megjithatë, Apeli ka vlerësuar se këto pretendime nuk përbëjnë pengesë për ekstradimin. Në arsyetimin e vendimit thuhet se kërkesa e tij për mbrojtje ndërkombëtare dhe azil ishte refuzuar paraprakisht nga organet kompetente të Kosovës.
Gjykata ka konstatuar se edhe pse mbrojtja kishte nisur konflikt administrativ ndaj vendimeve për refuzimin e azilit, kjo nuk e pezullon automatikisht procedurën e ekstradimit.
Apeli ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për dorëzimin e tij te autoritetet maqedonase, në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështje Penale dhe marrëveshjes dypalëshe të ekstradimit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në vendim thuhet se është përmbushur edhe kushti i inkriminimit të dyfishtë, pasi veprat për të cilat kërkohet Bejla janë të dënueshme në të dyja shtetet. Po ashtu, gjykata ka konstatuar se nuk ka kaluar afati i parashkrimit të ndjekjes penale.
Në dosjen e dërguar nga autoritetet maqedonase figurojnë raporte të prokurorisë, dokumente të njësive për hetimin e krimeve të rënda, transkripte të përgjimeve, raporte të autopsisë, analiza daktiloskopike dhe ekspertiza të gjurmëve biologjike.
Sipas vlerësimit të gjykatave të Kosovës, këto materiale përmbajnë të dhëna për kohën, vendin dhe mënyrën e kryerjes së veprave, si dhe për rolin që dyshohet se ka pasur Bejla.
Pas vendimit të formës së prerë të Apelit, Bejla do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim deri në përfundimin e procedurave të nevojshme për dorëzimin e tij te autoritetet e Maqedonisë së Veriut. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi