Apple mund të prezantojë një edicion të kufizuar të iPhone 20 Pro me pjesë qeramike

Apple mund të prezantojë një edicion të kufizuar të iPhone 20 Pro me pjesë qeramike

Written by

in

Apple mund të sjellë një edicion të kufizuar të iPhone 20 Pro, i cili do të përmbajë pjesë të prodhuara nga qeramika. Këtë e pretendon burimi kinez i informacioneve për pajisjet teknologjike, Fixed Focus Digital, i cili më herët ka publikuar detaje për produktet e ardhshme të kompanisë amerikane.

Sipas raportimeve, të publikuara fillimisht në rrjetin social kinez Weibo, burimi në fjalë ka siguruar disa komponentë qeramikë që thuhet se janë të destinuar për iPhone-in me të cilin Apple planifikon të shënojë 20-vjetorin e prezantimit të modelit të parë. Pajisja pritet të dalë në treg vitin e ardhshëm.

Sipas tij, kapaciteti i planifikuar i prodhimit për këta komponentë është shumë i vogël, çka sugjeron se bëhet fjalë për një numër të kufizuar pajisjesh.

Në një koment të mëvonshëm, ai shtoi se projekti mund të kalojë në prodhim masiv vetëm nëse e përfundon me sukses fazën e testimit inxhinierik (EVT). Madje, ai bëri shaka se rrallësia e këtij modeli mund t’ia rrisë vlerën në të ardhmen.

Megjithatë, burimi nuk ka treguar se për cilat pjesë qeramike bëhet fjalë. Për këtë arsye, ende nuk dihet nëse Apple po shqyrton mundësinë e përdorimit të qeramikës për pjesën e pasme të telefonit, për një pjesë më të madhe të trupit apo vetëm për ndonjë element të jashtëm.

Qeramika, material që Apple e përdor tashmë

Apple tashmë e përdor qeramikën si material premium për trupin e orëve inteligjente Apple Watch Series 12, të cilat ofrohen në ngjyrë të bardhë Pearl White dhe blu të errët Night Blue, krahas versioneve prej alumini dhe titani. Kompania në të kaluarën ka shitur edhe modele qeramike të serisë Apple Watch Edition.

Ndërkohë, modeli iPhone Air ka mbrojtjen Ceramic Shield 2 në pjesën e përparme dhe Ceramic Shield në pjesën e pasme. Ky material përbëhet nga xhami me kristale të vogla qeramike, të cilat rrisin qëndrueshmërinë pa ia humbur transparencën.

I njëjti burim më herët kishte pretenduar se modelet iPhone 20 Pro do të kenë një dizajn prej xhami, të ngjashëm me atë të iPhone Air, me lakime më të theksuara në të katër anët dhe kornizë prej titani.

Çfarë pritet nga iPhone-i jubilar?

Prezantimi i modelit që shënon 20-vjetorin e iPhone-it pritet në vjeshtën e vitit 2027. Sipas informacioneve jozyrtare, pajisja do të sjellë një ridizajnim të madh, me xham që dominon pamjen e jashtme dhe ekran të lakuar në të katër anët.

Emërtimi përfundimtar i pajisjes ende nuk është konfirmuar. Apple mund të vendosë ta kapërcejë emrin iPhone 19 për ta theksuar më shumë përvjetorin, ashtu siç bëri në vitin 2017, kur prezantoi iPhone X.

Të gjitha këto informacione mbeten në nivelin e thashethemeve dhe nuk janë konfirmuar nga Apple. /Telegrafi/