
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së premtes ndaj të akuzuarve Naim Sahiti, Ariton Sahiti, Begzat Sahiti, Shkëlzen Sahiti dhe Jeton Fetahu, të cilët akuzohen për fajde, shpëlarje parash dhe vepra të tjera penale, dëshmoi Fidan Bernjashi. Ai tha se të akuzuarit Naim dhe Ariton Sahiti i kishte takuar në restorantin e tij në Zvicër, ndërsa në një rast, ky i fundit e kishte kërcënuar me thikë shërbimi, duke i frikësuar klientët e restorantit.
Sipas aktakuzës, Naim dhe Ariton Sahiti akuzohen për veprat penale “Fajde”, “Shpëlarje parash” dhe “Kanosje”, Begzat Sahiti për “Shpëlarje parash”, kurse Shkëlzen Sahiti dhe Jeton Fetahu për “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kujtim Krasniqi, njoftoi se gjykimi do të fillonte nga e para për shkak të pensionimit të anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Vesel Ismaili. Në vend të tij, pjesë e trupit gjykues do të jetë gjyqtari Rrahman Beqiri.
Më pas, dëshmitari Fidan Bernjashi njoftoi Gjykatën se ndihej i kërcënuar nga të akuzuarit Ariton dhe Naim Sahiti, të cilët, sipas tij, brenda dhe jashtë sallës e shikonin me shikime kërcënuese. Ai tha se në të njëjtën mënyrë sillej edhe i akuzuari Jeton Fetahu, me të cilin dëshmitari deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje.
“Unë jam i vetëm këtu, nuk e kam askënd, nuk ju frigohem por nuk është arsye me më kërcënu kështu me shikime”, tha ai.
I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kujtim Krasniqi, dëshmitari Bernjashi tha se nuk kishte nevojë për mbrojtje nga Policia. Ndërsa, lidhur me raportimin e rastit për hetim të mëtejshëm në Prokurori, tha se këtë ia linte Gjykatës.
Gjykata ua tërhoqi vërejtjen personave të përmendur që të kishin kujdes në sjelljet e tyre ndaj dëshmitarit, ndërsa në sallë ftoi edhe zyrtarët policorë.
Ndërkaq, Gjykata nuk e lejoi mbrojtësen e të akuzuarit Ariton Sahiti, avokaten Shemsije Asllani, që të paraqiste kundërshtimet e saj lidhur me këtë çështje, duke i thënë se ato mund t’i paraqiste në procedurën përkatëse në Prokurori.
Tutje, dëshmitari vazhdoi dhënien e dëshmisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të të akuzuarit Naim Sahiti. Ai tha se ishin njohur në lokalin e dëshmitarit, të cilin, sipas tij, i akuzuari e kishte vizituar rreth 500 herë.
Dëshmitari tha se Naim Sahiti vinte zakonisht pasdite në lokal dhe se ishte në shoqërinë e Ariton Sahitit.
Kur erdhi radha e të akuzuarit Ariton Sahiti për ta marrë në pyetje dëshmitarin, ai tha se nuk ishte në gjendje të parashtronte pyetje, pasi ndihej i kërcënuar nga pala e dëmtuar.
Ai shtoi se U.A., i cili ishte larguar nga salla para pesë apo gjashtë seancash dhe ndaj të cilit, sipas tij, ishte ngritur aktakuzë për kërcënim, ishte shfaqur para sallës së Gjykatës pas seancës së një dite më parë, si dhe atë mëngjes, duke bërë gjeste. Sipas Ariton Sahitit, me të ishte edhe dëshmitari Bernjashi.
Sahiti propozoi që palët e tjera të vazhdonin me marrjen në pyetje të dëshmitarit derisa ai të ndihej më mirë, ndërsa u pajtua që, lidhur me pretendimin për kërcënim, Gjykata ta dërgonte procesverbalin në Prokurori.
Mbrojtësit e të akuzuarve Begzat Sahiti, Shkëlzen Sahiti dhe Jeton Fetahu, avokatët Ramadan Leka, Bekim Kafexholli dhe Nazmi Sallahu, nuk kishin pyetje për dëshmitarin.
Më pas, Ariton Sahiti vazhdoi me parashtrimin e pyetjeve.
Dëshmitari deklaroi se me Ariton Sahitin ishte takuar për herë të parë në restorantin e tij në Zvicër, ku i akuzuari kishte qenë vetëm. Ai tha se nuk i kujtohej nëse aty kishte qenë edhe i dëmtuari Ajnur Murati.
Dëshmitari tha se në atë kohë restoranti i tij nuk kishte pasur kamera.
Ai deklaroi se në momentin kur Ariton Sahiti e kishte kërcënuar me thikën e shërbimit të tavolinës, në restorant kishte pasur mysafirë, të cilët ishin frikësuar.
“Jon qu prej bukës, kanë qenë me familje dhe kurrë më nuk më kanë ardhë ata njerëz se kanë pasur frikë mos po ndodhë diçka”, tha dëshmitari.
Ai tha se i akuzuari i kishte thënë: “Jom me Naim bosin, kom ardhë me i marrë parët”, ndërsa aty kishte qenë edhe i dëmtuari Ajnur Murati.
Dëshmitari tha se Ariton Sahiti kishte qenë tri deri në katër herë në lokalin e tij, bashkë me grupin e vet, ku, sipas tij, kishte pasur shumë njerëz që kishin ngrënë dhe pirë pa paguar. Ai pretendoi se ata ishin të njohur si kriminelë.
Dëshmitari tha se ishte takuar disa herë me të akuzuarin në Kosovë, brenda një vere: një herë për t’ia dhënë 20 mijë euro, një herë për rreth 8 mijë euro për të paguar dënimin për vonesat dhe një herë për të parë një banesë në vlerë prej 325 mijë eurosh, për të cilën i akuzuari, sipas tij, do të paguante vetëm 180 mijë euro.
Dëshmitari shtoi se një herë tjetër ishte takuar me Aritonin dhe Naimin për të parë një veturë në vlerë prej 200 mijë eurosh, në një sallon në Kosovë. Ai tha se nuk e kishte blerë këtë veturë, pasi, sipas tij, “Nuk kom dasht me ja dhanë atë rast”.
Ndërsa, lidhur me një veturë tjetër në Zvicër, në vlerë prej 340 mijë frangash, dëshmitari tha se qëllimi i të akuzuarve ishte që ta shisnin veturën për 300 mijë franga, ndërsa atij t’ia paguanin vetëm 140 mijë franga.
Dëshmitari tha se arsyeja pse të akuzuarit dëshironin ta merrnin veturën ishte, sipas tij, se ata merreshin me kode për fshirjen e lizingut dhe falsifikime.
Dëshmitari tha se restorantin në Zvicër, me emrin “Tiara Grill”, e kishte në bashkëpronësi me bashkëshorten.
I akuzuari Ariton Sahiti e pyeti dëshmitarin nëse kishte mbajtur evidencë për ushqimin që kishte konsumuar Naim Sahiti në lokalin e tij. Dëshmitari e pohoi këtë dhe tha se ishte në gjendje ta sillte evidencën në seancën e radhës.
Ndërsa, lidhur me evidencën për paratë që kishte dhënë, dëshmitari u shpreh kështu: “Aq shumë kam dhënë sa s’kom mujtë as me shkru”.
Në fund, dëshmitari tha se ishte i humbur me gjithçka për shkak të dëmeve që, sipas tij, ia kishin shkaktuar të akuzuarit Ariton dhe Naim Sahiti.
Seanca u ndërpre për të vazhduar javën e ardhshme.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Naim Sahiti dhe Ariton Sahiti akuzohen se, nga viti 2020 deri në vitin 2022, në Gjilan, në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, në bashkëkryerje kanë kontraktuar një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (fajdesë), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit A.M., nga Gjilani.
Aktakuza thotë se, në fillim të vitit 2020, të pandehurit ia kishin dhënë shumën prej 20 mijë eurosh, për të cilën kishin llogaritur interes mujor prej 20 për qind, përkatësisht 4 mijë euro. Pasi i dëmtuari nuk kishte qenë në gjendje ta paguante këtë shumë, pas katër muajsh ia kishin dhënë edhe shumën prej 30 mijë eurosh, me të njëjtin interes prej 20 për qind, përkatësisht 6 mijë euro. Sipas aktakuzës, interesi prej 10 mijë eurosh kishte vazhduar për disa muaj, ndërsa i dëmtuari ishte detyruar që, për një vit rresht deri në fillim të vitit 2022, të transferonte nga 5 mijë euro në muaj përmes llogarisë bankare, në formë të pagës.
Kjo gjendje, sipas aktakuzës, kishte vazhduar derisa interesi kishte arritur në 16 mijë e 800 euro në muaj, shumë të cilën i dëmtuari e kishte paguar vetëm për një muaj. Përveç shumës së parave në emër të borxhit të krijuar nga fajdeja, të pandehurit i kishin marrë të dëmtuarit edhe paluajtshmëri: tri shtëpi në vlerë prej 175 mijë eurosh, një banesë në vlerë prej 60 mijë eurosh, si dhe dy vetura në vlerë prej 39 mijë eurosh. Njërën nga veturat, sipas aktakuzës, e kishin marrë nga personi F.B.
Dëmi i përgjithshëm për të dëmtuarin A.M., nga shumat e parave dhe pronat e paluajtshme e të luajtshme, arrinte në 366 mijë euro. Një pjesë e paluajtshmërive, përkatësisht dy shtëpi në vlerë prej 115 mijë eurosh, i ishin kthyer pas fillimit të procedurës, ndërsa dëmi i mbetur, sipas aktakuzës, ishte 251 mijë euro.
Tutje, në aktakuzë thuhet se, nga viti 2020 deri në vitin 2022, në Gjilan dhe në Zvicër, në vazhdimësi dhe me dashje, të pandehurit, në këmbim të shërbimit (fajdesë) dhe duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit F.B., në fillim të vitit 2020, i kishin dhënë shumën prej 20 mijë frangash zvicerane (CHF), më pas 16 mijë franga, e më vonë edhe shumat prej 20 mijë dhe 10 mijë frangash. Totali i shumës së marrë kishte qenë 66 mijë franga.
Sipas aktakuzës, për këto para, në fund të vitit 2020, i dëmtuari kishte paguar 100 mijë franga, ndërsa më pas kishte paguar rreth 20 mijë franga kamatë mujore për 13 muaj. Borxhi në total në emër të fajdesë për të dëmtuarin F.B. arrinte në 360 mijë franga, ndërsa dëmi kishte ardhur si rezultat i marrëveshjes që në fund të paguhej shuma prej 75 mijë frangash.
Me këtë, Naim Sahiti dhe Ariton Sahiti akuzohen se, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe nenet 77 dhe 31 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, nga një kohë e papërcaktuar deri më 31 gusht 2022, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm dhe duke e ditur se pasuria dhe shumat e parave të përfituara gjatë kësaj kohe kishin rrjedhur nga aktiviteti i tyre kriminal, përkatësisht nga veprat penale të fajdesë, të pandehurit kishin përpiluar kontrata fiktive të shitblerjes së pronave, marrëveshje fiktive për kthimin e borxhit dhe kishin bartur prona në emër të personave të tretë. Këto veprime, sipas aktakuzës, ishin ndërmarrë me qëllim që pasuria e krijuar të paraqitej si rezultat i burimeve të rregullta.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit kishin transferuar gjithashtu mjete në llogaritë e palëve të treta, të cilat më vonë kishin lidhur kontrata me bankat për depozita me afat. Sipas aktakuzës, shumat e përfituara nga shitblerjet e pronave të paluajtshme nuk e arsyetonin vlerën e transaksioneve të kryera, e cila arrinte në rreth 2 milionë e 971 mijë euro. Po ashtu, 16 parcela ishin ngrirë me vendim të gjykatës, përmes një urdhri ndalues afatgjatë.
Me këtë, Naim Sahiti dhe Ariton Sahiti akuzohen se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Shpëlarje e parasë”, nga neni 302, paragrafi 1 dhe neni 31 i Kodit Penal, lidhur me nenin 56 të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Sipas aktakuzës, më 31 gusht 2022, të pandehurit Naim Sahiti dhe Ariton Sahiti i kishin kanosur seriozisht të dëmtuarit A.M. dhe E.M., duke u kërkuar “që ta lirojnë shtëpinë deri në ora 12:00 ose ka të qu në ajër”. Sipas aktakuzës, kjo kanosje kishte ardhur si rezultat i veprës penale të fajdesë, pasi e njëjta shtëpi u ishte dhënë të pandehurve për të paguar interesin e shumave të mëdha të parave të marra me fajde. Me këto veprime, sipas aktakuzës, të pandehurit kishin krijuar pasiguri për jetën dhe pasurinë e të dëmtuarve dhe familjarëve të tyre.
Me këtë, Naim Sahiti dhe Ariton Sahiti akuzohen se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, Begzat Sahiti akuzohet se, në vitin 2022, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm për të tjerët, veçanërisht për Naim Sahitin dhe Ariton Sahitin, u kishte ndihmuar këtyre të fundit. Aktakuza pretendon se ai e kishte ditur se pasuria dhe shumat e parave të përfituara gjatë kësaj kohe kishin rrjedhur nga aktiviteti i tyre kriminal, përkatësisht nga veprat penale të fajdesë. Sipas aktakuzës, ai kishte përpiluar një kontratë fiktive të shitblerjes së një shtëpie, duke e bartur atë në emrin e tij, me qëllim që pasuria e krijuar të paraqitej si rezultat i burimeve të rregullta. Po ashtu, i pandehuri kishte ndërmarrë veprime duke transferuar mjete në llogaritë e palëve të treta.
Me këtë, Begzat Sahiti akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parasë”, në ndihmë, nga neni 302, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal dhe nenin 56 të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Në aktakuzë thuhet se Shkëlzen Sahiti akuzohet se, më 31 gusht 2022, në një kohë të papërcaktuar në Gjilan, me dashje dhe me qëllim të nxitjes së frikës te i dëmtuari A.M., në mënyrë që ai të përmbahej nga dhënia e deklaratës, ta ndryshonte atë ose të mos jepte informacione të vërteta pranë organeve të drejtësisë lidhur me rastin ndaj Naim Sahitit dhe Ariton Sahitit, të cilët ishin në paraburgim për shkak të veprës penale “Fajdeja”, e kishte kanosur seriozisht të dëmtuarin.
Aktakuza thotë se Shkëlzen Sahiti, përmes llogarisë në Facebook me emrin “Xeni Trans”, e kishte kanosur me fjalët “o m… qa ki bo, ku po takohemi se po më vyen edhe nanes tande hargj i ka qu, ti ka largu brogjlit prej shpisë marre”. Më pas, me qëllim të ndikimit të drejtpërdrejtë, ishte përpjekur të caktonte një takim me të, duke i kërkuar të takoheshin me pretendimin se do të shkonte edhe babai i tij. Ndërsa, përmes thirrjeve në MSN të Facebook-ut, e kishte kanosur me fjalët “unë e kam djalë të axhës atë, kujdes se unë e daj të mirën dhe të keqen me ta”. Po ashtu, sipas aktakuzës, ai e kishte përcjellë me veturë edhe gruan e vëllait të të dëmtuarit. Me këto veprime, sipas aktakuzës, te i dëmtuari ishte nxitur frikë, ankth dhe pasiguri.
Me këtë, Shkëlzen Sahiti akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 386, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, Jeton Fetahu akuzohet se, më 15 janar 2023, në një kohë të papërcaktuar në Gjilan, me dashje dhe me qëllim të nxitjes së frikës te i dëmtuari A.M., në mënyrë që ai të përmbahej nga dhënia e deklaratës, ta ndryshonte atë ose të mos jepte informacione të vërteta pranë organeve të drejtësisë lidhur me rastin ndaj Naim Sahitit, Ariton Sahitit, Begzat Sahitit dhe Shkëlzen Sahitit, për veprat penale të fajdesë, detyrimit, kanosjes, pengimit të të provuarit apo procedurës zyrtare dhe pastrimit të parave, e kishte kanosur seriozisht të dëmtuarin përmes llogarisë në Facebook me emrin “Toni Toni”.
Sipas aktakuzës, përmes kësaj llogarie, ai i kishte shkruar: “O me gru e me krejt qa i ki ko me ti .. ne …që Tonin e Naimin i ke shti në burg, me ty e me Erollin e me familje ko me ti vra”. Me këtë, sipas aktakuzës, te i dëmtuari ishte nxitur frikë, ankth dhe pasiguri.
Me këtë, Jeton Fetahu akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 386, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Burimi: Insajderi