Arrestohen dy italianë për vrasjen e shqiptarit në Itali, u qëllua me armë në fytyrë dhe trupi iu hodh në kanal

Arrestohen dy italianë për vrasjen e shqiptarit në Itali, u qëllua me armë në fytyrë dhe trupi iu hodh në kanal

Written by

in

Dy shtetas italianë, të moshës 51 dhe 54 vjeç, janë arrestuar në Itali nën dyshimin për vrasjen e 35-vjeçarit shqiptar Ferdinant Hoti, trupi i të cilit ishte gjetur më 8 shtator në një veturë të fundosur në kanalin Tergola, në San Giorgio delle Pertiche, në provincën e Padovës.

Sipas televizionit publik italian Rai News, dy të dyshuarit janë arrestuar nga karabinierët pas hetimeve të zhvilluara nga autoritetet italiane.

Ata dyshohet se e kanë vrarë shqiptarin me një të shtënë pushke në fytyrë, nga një distancë e afërt, transmeton Telegrafi.

Hetuesit dyshojnë se vrasja ishte e paramenduar dhe lidhej me konflikte të krijuara në kuadër të trafikut të lëndëve narkotike në territorin e Venecias.

Trupi i pajetë i Hotit ishte zbuluar më 8 shtator, në ulëset e pasme të një veture Fiat Bravo, e cila ishte fundosur në kanalin Tergola.

Vetura nuk kishte targa, ndërsa trupi i viktimës ishte mbështjellë me qese të zeza plastike dhe ishte fshehur nën goma dhe materiale të tjera.

Hetimet morën një kthesë të rëndësishme pas analizave teknike të veturës. Në pjesën e pasme të saj, në një zonë ku dyshohet se ishte shtyrë për ta hedhur në kanal, ekspertët gjetën gjurmë gishtash që ndihmuan në identifikimin e njërit prej të dyshuarve.

Po ashtu, policia analizoi dhjetëra orë incizime nga kamerat e sigurisë, përmes të cilave arriti të rindërtonte lëvizjet e fundit të viktimës.

Pamjet treguan se Hoti kishte hyrë me veturë në një objekt industrial në Mirano, në provincën e Venecias, ku njëri prej të dyshuarve kishte në dispozicion një hapësirë të përdorur si punishte.

Pas kësaj, 35-vjeçari nuk ishte regjistruar më në pamjet e kamerave si person i gjallë.

Gjatë hetimeve, dy të arrestuarit kanë bashkëpunuar me autoritetet, duke ndihmuar në gjetjen e një pushke të kalibrit 12, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e vrasjes.

Ndaj dy italianëve rëndojnë dyshimet për vrasje të rëndë të paramenduar, fshehje të kufomës dhe mbajtje të paligjshme të armës së zjarrit në bashkëpunim. Ata janë dërguar në burgjet përkatëse në Rovigo dhe Verona.

Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e vrasjes dhe rolin e secilit prej të dyshuarve./Telegrafi/