Arrestohen dy shqiptarë në Gjermani, njëri dërgohet para gjyqtarit

Arrestohen dy shqiptarë në Gjermani, njëri dërgohet para gjyqtarit

Written by

in

Dy shtetas shqiptarë, të moshës 51-vjeçare, janë arrestuar në qytetin Ratingen-Hösel të Gjermanisë, nën dyshimin se tentuan të kryenin vjedhje në një banesë.

Sipas mediave gjermane, ngjarja ka ndodhur të mërkurën mbrëma, më 28 tetor, rreth orës 18:45, në rrugën Eggerscheidter Straße, pasi një 72-vjeçar njoftoi policinë për një zhurmë të dyshimtë në banesën e tij.

Kur doli në kopsht, ai pa dy burra që dyshohet se po tentonin ta hapnin me forcë derën e tarracës. Të dy u larguan nga pjesa e pasme e kopshtit, para se policia të niste një operacion kërkimi, në të cilin u përfshi edhe një helikopter policor, shkruan News.de, transmeton Telegrafi.

Me ndihmën e banorëve të zonës, të dyshuarit u lokalizuan në kopshtin e një shtëpie në rrugën Wiesengrund. Ata u arrestuan pa rezistencë, me ndihmën edhe të një qeni policor.

Gjatë hetimeve në vendin e ngjarjes, një banore raportoi edhe një tentim tjetër vjedhjeje në rrugën Bruchhauser Straße. Policia po heton nëse dy shqiptarët kanë lidhje edhe me këtë rast.

Pas arrestimit, të dy u dërguan në stacionin policor. Njëri prej tyre u lirua me urdhër të prokurorisë, pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, ndërsa tjetri u dërgua para gjyqtarit për shkak të një urdhër-arresti që ekzistonte më herët.

Të dy do të përballen me procedura hetimore, ndërsa përgjegjësia e tyre për veprat e dyshuara ende nuk është vërtetuar.

Lajmi u publikua më 29 tetor nga mediumi gjerman News.de, duke iu referuar njoftimit të Policisë së Mettmannit./Telegrafi/