Arrestohen dy të dyshuar për krime lufte në rastin e Masakrës së Padalishtës

Arrestohen dy të dyshuar për krime lufte në rastin e Masakrës së Padalishtës

Written by

in

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte në rastin e njohur si “Masakra e Padalishtës”, e kryer më 26 mars 1999 në komunën e Istogut.

Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, të dyshuarit me inicialet Z.B. dhe G.B. janë arrestuar të enjten, më 29 tetor, pas veprimeve hetimore dhe operative të ndërmarra nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale.

Arrestimet janë kryer në fshatrat Osojan dhe Cerkolez të komunës së Istogut.

Policia ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast janë zhvilluar për një periudhë të gjatë kohore, me qëllim të dokumentimit të ngjarjeve që lidhen me masakrën.

Veprimet e mëtejshme lidhur me rastin do të ndërmerren në bashkërendim me Prokurorinë Speciale.

Burimi: Dukagjini