Një 32-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga Policia Federale Gjermane gjatë një kontrolli kufitar në autostradën A8, pranë Freilassingut.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Federale në Mynih, arrestimi është kryer më 28 tetor, ndërsa ndaj tij ishin lëshuar dy urdhër-arreste nga Prokuroria e Würzburgut.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë konstatuan se kosovari kërkohej për ekzekutimin e dënimeve lidhur me veprat penale të lëndimit të rrezikshëm trupor dhe zhvatjes me dhunë, transmeton Telegrafi.
Sipas autoriteteve gjermane, 32-vjeçarit i kishin mbetur edhe 1.138 ditë burgim për të vuajtur.
Pas arrestimit, ai është dërguar në një institucion korrektues për vazhdimin e vuajtjes së dënimit.
Policia Federale Gjermane e ka bërë të ditur rastin në raportin e saj zyrtar të publikuar më 29 tetor 2026./Telegrafi/